BDI e ka quajtur të jashtëligjshëm procesin zgjedhor me njësi të pabalansuara për kah numri i votuesve dhe paralajmërojnë se nuk do të lejojnë aanjë ndryshim tjetër të Kodit Zgjedhor pa e mbyllur këtë temë, transmeton drejt.mk. Zëdhënësi i kësaj partie dhe zëvendëskryeministri Bujar Osmani, thotë se kjo është arsyeja që ata janë duke i bllokuar në Kuvend përfshirjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-së në Kodin Zgjedhor.
“Devijimi nga 5%-shi ligjor në katër njësi zgjedhore e bën procesin zgjedhor joligjor. Janë rekomandimet e OSBE/ODIHR-së, janë të rëndësishme edhe për zgjedhjet, janë të rëndësishme edhe për vlerësimin e komunitetit ndërkombëtar ndaj zgjedhjeve. Mirëpo të hyjmë me vetëdije në shkelje të ligjit dhe në një proces joligjor, unë mendoj se rrezikojmë shumë aspekte; rrezikojmë që dikush të kontestojë në Gjykatën Kushtetuese ligjshmërinë e procesit zgjedhor dhe rrezikojmë që pesha e votuesit të jetë e ndryshme”, pohoi Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së në intervistë për MIA.
Osmani njoftoi se kanë përpiluar amendament për Kodin zgjedhor i cili parasheh zhvendosjen e kufijve të njësive dhe kalimin e disa vendvotimeve nga njëra njësi në tjetrën. Ai thotë se këtë propozim ua kanë dorëzuar LSDM-së dhe VMRO-së. Zëdhënësi i BDI-së njofton se LSDM-ja është duke analizuar amendamentin, ndërsa VMRO-ja vlerëson se nuk ka mjaftueshëm kohë për këto ndryshime.
A.Z.