Lëvizja Eco Guerilla e vlerëson si joserioze dhe skandaloze deklaratën e ish-kryeministrit Zaev rreth shpalljes së Malit Sharr për park nacional.
Arsyetimi se me shpalljen e Malit Sharr do të ndërpritet e drejta për kullotjen e bagëtive është qesharake dhe tendencioze. Ai si ish-kryeministër duhet ta dijë që bagëtitë aspak nuk e dëmtojnë ambientin dhe biodiverzitetin në natyrë, por shkatërrimi i florës dhe faunës, pasurive të ndryshme natyrore vjen nga ndërtimi i hidro-centraleve dhe prerja e drunjëve. Që të bindet se bagëtitë nuk i dëmtojnë parqet nacionale duhet të kërkojë nga këshilltarët që t’ja lexojnë Ligjin për mbrojtjen e natyrës Neni 75, Pika 2 dhe propozim-ligjin për Parkun Nacional të Mavrovës Neni 11, Pika 3 ku në mënyrë eskplicite përcaktohet se kullotja e bagëtive është plotësisht e lejuar. E njëjta vlen edhe për zhvillimin e turizmit në Kodrën e Diellit, pasi shpallja e Parkut Nacional nuk përbën pengesë.
Ai duhet të informohet se vendi ynë e ka nënshkruar edhe Konventën e Bernit me të cilën parashihet mbrojtja e zonave emeralde edhe pa u shpallur parqe nacionale. Me këtë ai le dyshime se e sakrifikon shpalljen e Malit Sharr si park nacional për biznes-interesat e hidro-mafias dhe grupeve tjera të interesit.
Poashtu edhe në pronocimin e mëhershëm të Zaevit (11 Maj 2018), që qytetit të Tetovës nuk i duhet transport publik, me arsyetimin banal se taksistët do të mbeteshin pa punë, është i papranueshëm dhe aspak parandalues për nivelin e ndotjes së ajrit në këtë qytet. Kërkojmë nga të gjithë politikanët që të jenë të përgjegjshëm rreth çështjeve për ambientin, ku vendin kryesor e kanë qytetarët dhe shëndeti i tyre, dhe jo biznes-intereset e grupeve ndryshme.