Në konferencën “Po Vijnë të Gjelbrit” në organizim të CIVILit, u drejtuan Arta Toçi, deputete në Kuvendin e RMV, Arianit Xhaferi nga Eco Guerrilla, Vanço Ordanoski, IT ekspert, Danica Pavlovska – Cigi, eksperte për arkitekturë dhe planifikim hapësinor, si dhe përfaqësues të Civilit.
Konferencën e hapi Biljana Jordanovska nga CIVILi, e cila përkujtoi se CIVILi si organizatë çdo ditë u përkushtohet vlerave të gjelbra, drejtësisë sociale dhe antinacionalizmit.
“Në një shoqëri e cila nuk ka problem të tregojë dhe dëshmojë se sa lehtë lidhen këto elemente në jetesën e përditshme, CIVILi informon, edukon por edhe ofron zgjedhje se si këto segmente të ndikojnë në drejtim pozitiv”, theksoi Jordanovska.
“Vlerat e gjelbra nuk nënkuptojnë vetëm ekologji. Këto janë një pako mundësish të cilat i vendosin në piedestal të drejtat dhe liritë e njeriut, dhe dinjitetin njerëzor. Secili meriton ardhmëri të gjelbër, mjedis jetësor të mbrojtur, drejtësi ekologjike dhe garanci për zhvillim të qëndrueshëm të komunitetit. Edukimi dhe forcimi i vetëdijes publike rreth ajrit, ujit, truallit, natyrës, mbrojtjes së tyre, qëndrueshmërisë dhe kujdesit, janë të rëndësishme jo vetëm si të drejta themelore të njeriut, por edhe si parakusht për mbijetesën e planetit tokë”, thotë ajo.
Jordanovska prezantoi edhe disa nga aktivitetet e 10 muajve të kaluara nga zbatimi i projektit “Ardhmëri e gjelbër” të cilin e zbaton CIVILi në bashkëpunim me Fondacionin Hajnrih Bell nga Sarajeva.
Arkitektja Danica Pavllovska thotë se edhe pse punon në Ministrinë për mjedis dhe planifikim hapësinor, rrallë i mbron veprimet dhe punën e këtij institucioni. Ajo theksoi se ky institucion është sektor shumë i rëndësishëm në kuptim të asaj që sot u fol në konferencë.
“Ligji për gjelbërim lokal është diçka që e rregullon me ligj mbrojtja dhe kujdesi për gjelbërimin jo vetëm në mjediset urbane, por për fat të keq, ky nuk respektohet. Ligjet tona sa edhe të jenë të mira, nëse nuk implementohen, janë të pakuptimta”, thotë Pavllovska.
Ajo theksoi se qytetarët janë ata që duhet të insistojnë për zbatimin e ligjeve.
“Hapësira publike në Shkup keqpërdoret. Shembull evident dhe eklatant i cili nuk po zgjidhet është projekti “Shkupi 2014”. Si profesionistë ne me të vërtetë kemi propozuar shumë zgjidhje dhe përcaktime strategjike të cilat do të nënkuptonin qasje ndaj këtij projekti të dëmshëm, përveç një komisioni në nivel shtetëror, nuk kemi asgjë tjetër. Ka vullnet në nivel të qytetit, posaçërisht komuna Qendër me suspendim të këtij projekti, por kjo nuk mjafton”, tha Pavllovska.
Pavllovska foli për formimin e qytetit, përmes të drejtës elementare të njeriut për hapësirë publike sipas modelit tonë, duke i respektuar pikërisht këto tre koncepte për të cilat biseduam në konferencë.
“Siguria, komponenti estetik, komponenti i gjelbër, respektimi i dallimeve, respektimi i këtyre gjërave, do të thotë se jemi në rrugë të drejtë”, tha Pavllovska.
Arianit Xhaferi nga Eco Guerilla nga Tetova thotë se nga të gjitha krijesave në planet, vetëm njerëzit janë ata që e shkatërrojnë planetin.
“Partitë e gjelbra janë shumë aktuale në kontinentin e gjelbër, luftojnë kundër ndryshimeve klimatike, dhe të Gjelbrit mund të vijnë edhe në Maqedoninë e Veriut. Qindra organizata punojnë në këtë temë, koalicione dhe partneritete gjithashtu. Dëgjoj se së shpejti do të kemi edhe parti të re të gjelbër. Por a do ta kryejnë punën këto organizata, atë që duhet kryer dhe a do ta shpëtojnë planetin nga ndotja e madhe? Unë nuk besoj. Jam shumë i sinqertë kur them se nuk besoj që vetëm ata janë të mjaftueshëm. Derisa pushteti, ministrat, deputetët, kryetarët e komunave lëvizin me makina të shtrenjta, unë nuk e besoj”, thotë Xhaferi.
Ai foli për iniciativën e organizatës së tij për subvencionimin e filtrave për fabrikat në Tetovë dhe Gostivar, iniciativë që u pranua nga Qeveria, por ka ndarë vetëm 40.000 euro të cilat nuk mjaftojnë vetëm për një fabrikë.
“Nuk ka mbrojtje për ruajtjen e mjedisit jetësor nëse nuk votojmë ligje që u japin më tepër ingerenca dhe të drejta inspektorateve shtetërore”, tha Xhaferi.
Ai vlerëson se të gjelbrit nuk mund t’ia dalin me të gjitha problemet, derisa të gjithë nuk bëhen të Gjelbër.
“Nuk mund të presim që vetëm sektori joqeveritar të na e kryejë punën. Nuk mund të ëndërrojmë për Evropë, deri sa punojmë maqedonisht. Mund ta pështyjmë Makronin, edhe Francën edhe Bullgarinë edhe të gjithë, por a kemi merituar në të vërtetë? Duhet të jemi të gjelbër pavarësisht a jemi të majtë a të djathtë, a jemi Maqedonas, Shqiptarë, Romë…”, tha Xhaferi.
Deputetja Arta Toçi në konferencën “Po Vijnë të Gjelbrit” në organizim të CIVILit deklaroi se në shtetin tonë çdo gjë politizohet, qytetarët në disa vende të shtetit nuk vendosin as për kryetarin e komunës së tyre, sepse tjerë vendosin për ata.
“Qyteti im është vendi i parë sipas ndotjes dhe një kohë të gjatë për tymin e zi mendonim se është mjegull karakteristike për dimër. Filluam me protesta, dhjetëra njerëz në atë kohë, protestat e ardhshme me numër më të madh, ngjarjet publike të Xhaferit ndihmuan që njerëzit të kuptojnë se kjo është ndotje, dhe se sa të sëmura ka si pasojë e ndotjes. E keqja ishte se këto protesta u organizuan nga një Shqiptar, ndërsa Tetova është qytet multinacional, dhe bashkëqytetarët tonë Maqedonas nuk dilnin në ato protesta për këtë arsye. E mira që doli nga këto protesta është mbyllja e Jugohromit”, deklaroi Toçi.
Ajo shtoi se në vendet tjera në perëndim, kur të gjitha problemet i kanë të zgjidhura, atëherë ata zakonisht mendojnë për ekologjinë, por se kjo duhet të jetë anasjelltas.
“Unë ekologjinë e vendos në rend të parë. Që të jetë Maqedonia me vendet tjera të civilizuara, nuk duhet të vendosen për ministra për ekologji, njerëz që për herë të parë dëgjojnë për fjalën “ekologji”, kur i zgjedhin për funksionin”, thotë ajo.
Toçi thotë se Ministria për mjedis jetësor dhe planifikim hapësinor u shërben njerëzve si kryeministrave dhe funksionarëve tjerë, kur dëshirojnë ta shpërblejnë dike, atëherë ia japin atë ministri, e ai nuk di se çfarë duhet të bëjë.
“Sharri është në rrezik, duhet të gjithë ta ngremë zërin, është mal i yni, këndojmë këngë dhe duhet të gjithë të dimë të punojmë për atë, sepse po shkatërrohet. Thonë se druri i vjetër duhet prerë, që të rriten të rinj, por, lumenjtë dhe liqenet e Sharrit do të shërbejnë për hidrocentrale dhe do t’u shërbejnë njerëzve të pushtetit – LSDM, BDI, VMRO-DPMNE. Unë apeloj deri te të gjithë njerëzit që e kanë ekologjinë në vetëdije dhe t}i mos i lëmë këta njerëz që jetojnë atje, të vetmuar”, thotë Toçi.
“Përveç Eco Guerrillës, ka edhe një organizatë joqeveritare që quhet “Ta shpëtojmë Sharrin”. Kjo vet tregon se Sharri kërkon shpëtim, nga vetë njeriu. Edhe Kodra e Diellit është pjesë e Sharrit, nuk e di a keni vizituar, nuk duket si më parë, çdo gjë është prishur dhe ndërtuar pa plan, është ndërtuar lagje e BDI-së, kanë ndërtuar shtëpi – uikendi me vendndodhje pak më të izoluar, kjo është mjerim. Ata ndërtojnë me shumë para, jo si qytetarët e thjeshtë, sepse janë të korruptuar dhe kanë para, dhe paramendoni çfarë lënë pas vetes”, deklaroi Arta Toçi.
Vanço Ordanoski në fjalimin e tij në Konferencën “Po Vijnë të Gjelbrit”, foli për asteroidin virtual që i kanoset Tokës, i quajtur ndryshime klimatike.
“Ai do të shkaktojë katastrofa të papara edhe në të ardhmen. Por, nuk jam këtu që t’u flas për skenarë të errëta. Jam këtu për një shpresë të re që e kemi. Një dritë në tunelin e ndryshimeve klimatike”, theksoi Ordanoski.
Ordanoski shpresën e sheh te rinia.
“Te të rinjtë më nuk ndezin përrallat e politikanëve. Shoqëria e sotme në të cilën jetojmë është version i vjetër, diçka që nuk funksionon më. Duhet të sjellim version të ri. Atë do ta sjellin të rinjtë”, thotë Ordanoski.
Ai në konferencë foli edhe për projektin “Ekomonitor”, pjesërisht i financuar nga Fondi për Inovacione, motoja e të cilit është se lufta kundër ndotjes së ajrit fillon me matjen e ndotjes.
“Situata me matjen e ndotjes së ajrit për momentin është tragjike!”, vlerëson Ordanoski.
Për projektin “Ekomonitor”, Ordanoski thotë se paraqet një matje hiper-lokale të ndotjes së ajrit me qindra aparate në secilën komunë, të cilat do të munden realisht ta bëjnë matjen momentale. Ideja është që të gjitha të dhënat të jenë të kapshme për të gjithë. Me këtë do të arrihet një rrjet sensorësh të cilët në çdo disa minuta do të përcjellin të dhëna deri te serverët qendrorë, do të maten gazra, presione, lagështia e ajrit, grimcat PM, tingujt ambientalë etj… Me këtë projekt Maqedonia do të arrijë dhe do të bëhet një nga shtetet më të përgatitura në aspektin e matjes së ndotjes së ajrit. Por, kjo nuk është gjëja më e rëndësishme. I rëndësishëm është parashikimi i ndotjes. Pas një kohe të caktuar me të dhëna do të mund të parashikojmë se si do të jetë ndotja në ditë të caktuar, në orë të caktuar. Kjo është me rëndësi sepse autoritetet do të mund të ndikojnë dhe reagojnë në mënyrë proaktive në aspektin e ndotjes.
Xhabir Deralla si shembull për atë se bota u mbetet të rinjve, e merr aktivisten Greta Tunberg, e cila arriti të bëjë “revolucion ekologjik” me të rinjtë she shtoi se të rinjve duhet t’u tregohet se nuk do t’u përzihemi në punët se si duhet ta drejtojnë të ardhmen dhe se beson që gjeneratat e reja më mirë do të dinë dhe do të ndjejnë, dhe se do të munden më tepër të bëjnë për planetin tonë.
“Ne si organizatë i promovojmë vlerat e gjelbra si pjesë e asaj që e bëjmë, ndërsa këto te ne në cilindo nivel nuk janë kategori e njohur. Ne kemi njerëz në funksionet më të larta të cilët nuk dinë se çfarë do të thonë këto vlera. Ndërsa ato nënkuptojnë respektim të të drejtave, lirive dhe dinjitetit njerëzor”, deklaroi Deralla.
Ai shtoi se të drejtat e njeriut praktikohen në formë të pandashme, se nuk mund dikujt ti jepni më tepër ose më pak të drejta dhe se kështu është edhe me ajrin.
“Duhet të gjendet mënyra dhe të ndërtohet kapaciteti që vlerat e gjelbra të promovohen sot, nga arsimi, duke mbaruar me deputetët, ministrat, ata që merren me ekologji. Me vlerat e gjelbra, si me të drejtat e njeriut, nuk guxojnë të merren vetëm resorë të ndryshme, ato janë pjesë lidhëse, si dhe të drejtat e njeriut. Punojmë me përkushtim edhe mbi drejtësinë sociale, e cila është pjesë e vlerave të gjelbra, i jemi përkushtuar ngritjes së vetëdijes publike sepse atë në ditën e sotme mund ta shohim përmes prizmës së drejtësisë ekologjike, sepse janë të lidhura, prandaj besoj me unitet duhet të shikohet në të gjitha fushat e të drejtave dhe lirive të njeriut”, shtoi Deralla.
Sipas tij, partitë politike nuk kanë praktikë të denjë të vlerave të gjelbra, të cilat në të vërtetë do ta ndryshonin jetën e qytetarëve dhe shtoi se është i gatshëm ta mbrojë këtë qëndrim me të dhëna dhe argumente.
“Ka ardhur koha të kemi lëvizje të të Gjelbërve në Maqedoni, e cila nuk do të ketë presion, as publik, politik ose mediatik dhe do të shërbejë si korrigjues serioz i institucioneve dhe partive politike dhe në ndonjë perspektivë të mbështesin ose të kërkojnë dorëheqje nga një strukturë e caktuar”, shtoi Deralla.
Maja Ivanovska / Angella Petrovska
përpunoi: Dijana Tahiri