Aktivistja Merita Maksuti vlerëson se mosbesimi shumëvjeçar ndaj sistemit, drejtësia selektive, nepotizmi, arsimi i pareformuar, klientelizmi politik, kanë kontribuar për largimin masovik të të rinjve.
“Për fat të keq jemi dëshmitarë të vazhdimit të disa praktikave të vjetra dhe reformat zbatohen vështirë në disa institucione të robëruara. Shteti, pushteti, ekzekutivi, duhet të kuptojë se këtu janë për qytetarët dhe jo ndryshe. Për mua, hallka më e rëndësishme është sundimi i drejtësisë. Unë jam arkitekte, por mendoj se kjo më tej reflektohet në të gjitha sferat e mundshme në shoqëri”, deklaroi Merita Maksuti, arkitekte dhe aktiviste qytetare në panelin “Qytetarët për shtetin ose shteti për qytetarët!?”, në organizim të Civilit.
“Mendoj se shteti nuk duhet të angazhohet në mënyrë sipërfaqësore, por në mënyrë thelbësore me reformat në të gjitha nivelet. Në një shoqëri që synon një shoqëri për të gjithë. Mendoj se nuk mund ta dozoni drejtësinë dhe qasjen te informatat nga njëra anë sepse kjo u konvenon për tregtitë politike. Këtë e them me legjitimitetin më të madh dhe si përkatëse e kombit shqiptar dua t’u tregoj se në blokun shqiptar për momentin nuk ka masë kritike dhe mendim kritik. Nëse është e pranishme, atëherë nuk vërehet dhe është e vetë-censuruar. Për fat të keq, njerëzit po largohen, dhe ndjehen ndryshe. Realiteti është se shoqëria është e ndarë”, tha Maksuti, duke e dhënë këndvështrimin esaj mbi drejtësinë dhe transparencën ashtu si e ndjen.
Maksuti vlerëson se mosbesimi shumëvjeçar ndaj sistemit, drejtësia selektive, nepotizmi, arsimi i pareformuar, klientelizmi politik kanë kontribuar për shpërnguljen masovike të të rinjve.
“Si aktiviste për mjedisin jetësor dhe kulturë më të lartë urbane dhe të drejtat e njeriut, çdo ditë e më tepër takoj njerëz që largohen nga shteti dhe jo për shkak të arsyeve ekonomike. Sinqerisht, personalisht ndjehem sikur e dëgjoj këngën e U2 “Stuck in the moment”, moment që zgjat e zgjat… Duhet patjetër të them se vazhdon trendi i njëjtë ku qytetari është vetëm retorikë, dhe jo edhe qëllimi për ndryshim shoqëror”, vlerëson Maksuti.
Maksuti si problem kryesor e thekson mosekzistimin e demokracisë funksionale e cila i mbyll para së gjithash pushtetet lokale të cilat asnjëherë nuk janë të gatshëm për kritikë konstruktive.
Biljana Jordanovska ( teksti, montazhi dhe fotografia)
Kamera: Atanas Petrovski