Kategoritë

#FUNDSHPËRDORIMIT Tribuna e Civilit, fillim i luftës pa kompromis kundër shpërdorimit

Në tribunën “Fund shpërdorimit”, të cilën dje e organizoi CIVIL – Qendra për Liri, qytetaret dhe qytetarët e interesuar kishin mundësinë të njihen më hollësisht me kërkesat e Civilit për minimizimin dhe ndërprerjen e privilegjeve të funksionarëve publikë.

“Fund shpërdorimit është mesazhi i CIVIL – Qendrës për Liri, por edhe fillim i iniciativës, me dorëzimin e kërkesave në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, më 14 maj, kur treguam se ka ardhur koha të ndërpriten privilegjet që i gëzojnë funksionarët, duke filluar nga presidentët e mëparshëm, dhe duke mbaruar me udhëheqësit e agjencive shtetërore. Duke pasur parasysh se ne jemi shtet i varfër dhe se jemi shtet social sipas Kushtetutës, dikush mund të thotë se jemi vonuar, por unë mendoj se asnjëherë nuk është vonë për përfundimin e një gjëje. Ne duhet të vendosim shumë përfundime nëse duam të fillojmë të funksionojmë si shoqëri demokratike dhe nëse duam qytetaret dhe qytetarët tonë t’i gëzojnë të gjitha të drejtat që i kanë sipas Kshtetutës”, theksoi Biljana Jordanovska nga Civili.

Përveç kërkesave të Civilit, u prezantuan edhe propozimet nga qytetare dhe qytetarë nga i tërë vendi, të cilët në periudhën nga 14 maji deri tani i kanë dërguar në organizatë, dhe kanë të bëjnë me këto kërkesa. Mbështetja e qytetareve dhe qytetarëve për këtë iniciativë të Civilit dita ditës rritet.

“Ne nuk menduam të ftojmë ekspertë dhe politikanë, por kërkuam të vijnë të gjithë që janë të interesuar për këtë temë. Në periudhën nga 14 maji deri tani kemi mijëra reagime nga qytetaret dhe qytetarët. Në orën e parë e pranuam reagimin e parë edhe nga disa nga politikanët, për çfarë u falënderoj në emrin tim personal dhe në emër të Civilit. Ajo që është me rëndësi për takimin e sotëm është se nga këtu duhet të dalim edhe më të organizuar. Prandaj ju ftoj të jeni pjesë e kësaj iniciative qytetare në kontekst të përpunimit të zgjidhjeve konkrete, për zbatim përfundimtar të kërkesave tona”, tha kryetari i CIVILIT, Xhabir Deralla.

Kërkesat e Civilit nuk kanë të bëjnë vetëm me Presidentin e mëparshëm të vendit tonë, edhe pse ekzistonte tentim për paraqitje të tillë të kësaj iniciative. Kjo ka të bëjë me të gjithë funksionarët aktualë dhe të mëparshëm, edhe të zgjedhur edhe të emëruar, dhe të gjithë ata që janë në gjendje të shpenzojnë para publike. Civili kërkon ndërprerjen e apanazheve dhe pensioneve të përjetshme. Ndërprerje të kompensimeve me para, dhe kompensimeve tjera për të gjitha bordet drejtuese. Minimizimin e numrit të agjencive shtetërore përmes ndërprerjes ose bashkimit, me uljen e numrit të punësuarve. Ndërprerje të privilegjeve për shfrytëzimin e makinave zyrtare, reprezentimeve dhe sigurimit të funksionarëve. Ulje drastike të harxhimeve për udhëtim. Ndërprerje për të gjitha liritë e veprimit për funksionarët, ndryshime ligjore në aspektin e ndryshimit të praktikave për punësim, prokurime publike. Praktika të reja të përshtatura standardit të qytetareve dhe qytetarëve. Ulja e numrit të deputetëve në Kuvendin e RMV.

Pas prezantimit të kërkesave të Civilit, të gjithë të pranishmit e shfrytëzuan mundësinë publikisht të prononcohen dhe të japin propozime konkrete për këtë temë. Në ditët e ardhshme CIVIL Media do të publikojë sublimat nga propozimet e qytetareve dhe qytetarëve pjesëmarrës në tribunën.

Pas tribunës, u mbajt edhe takim punues në të cilin u formua grupi punues i cili në periudhën e ardhshme do të përpilojë ndryshime konkrete në formë të propozimeve ligjore dhe zgjidhje konkrete në drejtim të minimizimit të privilegjeve dhe kontroll më të madh të shpenzimit të parave të qytetareve dhe qytetarëve.

Maja Ivanovska

Fotografia: Angella Petrovska