Maqedonia nuk është qëllimi primar i sulmit të Shtetit Islamik, ndërsa MPB ka vepruar me parandalim – as ka pasur tentim të organizuar për veprim terrorist, as aksion konkret, vlerëson Koloneli i pensionuar Bllagoja Markovski, doktor i shkencave ushtarake -politike dhe analist i sigurisë.
“Pas këmbimit të informatave me Ambasadën e SHBA, MPB, natyrisht, ka reaguar dhe nga aspekti i sotëm, pavarësisht nga fakti se nuk kemi informata të mjaftueshme për veprimet e MPB, mund të konstatojmë se në këtë moment në Maqedoni nuk ka rrezik për sigurinë, posaçërisht jo nga ndonjë sulm i organizuar terrorist”, vlerëson Markovski, i cili është edhe kryetar i Forumit Ballkanik për Siguri.
“Të kthyerit nga radhët e Shtetit Islamik të Irakut dhe Sirisë, megjithatë, janë çështje e ndjeshme në Maqedoni”, thotë Markovski.
“Kishim 156 qytetarë të evidentuar të cilët kanë marrë pjesë në veprime ushtarake në Irak dhe Siri, 83 nga ata janë kthyer dhe gjenden në Maqedoni, 23 janë të dënuar për pjesëmarrje në ushtri të huaja sipas Kodit Penal, dhe, për fat të keq, 35 persona i kanë humbur jetët në këto vende lufte”, deklaroi Markovski.
Luftëtarët e mëparshëm kane lidhje me liderët e tyre të mëparshëm, dhe nëse shteti nuk merr masa, ata mund të organizohen në territorin e vendbanimit të tyre dhe të bëjnë veprime terroriste si individë ose në grupe më të vogla.
“Të gjitha informatat me të cilat disponojmë janë në drejtim se këta njerëz nuk kanë qenë në detyra urdhëruese në veprimet luftarake, por i kanë kryer urdhrat nga komandantët në njësitet e të ashtuquajturit Shtes Islamik. Mirëpo, është e mundur të organizohet në mënyrë hierarkike të vendosen krerët që do të udhëheqin me grupet të cilat janë kthyer në Maqedoni, dhe nga ai aspekt mund të pritet, nëse nuk reagohet me kohë, ata të formojnë një strukturë paramilitare me konturë hierarkike për përgatitje dhe realizim të veprimeve terroriste”, vlerëson Markovski.
Sulmet eventuale do të ishin me madhësi të vogël, të drejtuara ndaj qëllimeve të “buta” dhe nuk do të ishin rrezik më serioz për shtetin.
“Këto sulme do të ishin të drejtuara nga qëllime të “buta”, në situata në të cilat kemi tubim më të madh njerëzish, siç janë manifestimet kulturore, sportive, qendrat tregtare etj. Qëllimi i tyre do të ishte krijimi i frikës dhe panikut te qytetarët”, thotë koloneli i pensionuar.
Ai thekson se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO në këtë situatë nuk është rrezik, por përparësi.
“Me krijimin e mundësive për këmbimin e informatave sekrete me anëtaret tjera në NATO do të krijohen kushte shumë më të mira për parandalimin me kohë të veprimeve eventuale, posaçërisht atyre terroriste”, thotë Markovski.
Por, thekson ai, të kthyerit paraqesin rrezik vetëm nëse nuk ndërmerren masa për risocializimin e tyre.
“Jo vetëm masa represive e cila pason sipas Kodit Penal, por edhe një sërë masash dhe aktivitetesh në kuptim të risocializimit të tyre, kthimit të tyre në shoqëri dhe çlirimi nga shtrëngimet e asaj ideologjie të pranuar. Në atë kuptim, Ministria për punë dhe politikë sociale, strukturat tjera shtetërore absolutisht duhet të kushtojnë vëmendje dhe në pajtim me Strategjinë për luftë kundër terrorizmit dhe Strategjia për luftë kundër radikalizmit duhet të reagojnë dhe vazhdimisht t’i realizojnë masat dhe aktivitetet të cilat do të shpien drejt risocializimit të tyre” – përfundon Markovski.
Igor K. Ilievski
Kamera, montazhi dhe fotografia: Arian Mehmeti