“E drejta për votë nuk është privilegj. Kjo është e drejtë të cilën askush nuk guxon ta merr, as ta kufizojë ose të manipulojë me të. Me të drejtën e votës askush nuk ka të drejtë të bëjë tregti ose ta kushtëzojë vullnetin e lirë të votuesve me shërbime, beneficione, para, siguri, ose me përfitime tjera, të drejta ose ndalesa…”, shkruan në “E drejta ime votuese”, publikim edukues i CIVILit për forcimin e vetëdijes publike, edukimit dhe mobilizimit të qytetarëve për përmirësimin e proceseve zgjedhore të cilat e definojnë qartë ryshfetin zgjedhor.
Më tej, në publikimin e njëjtë, organizata u drejtohet edhe drejtpërdrejtë votuesve: “Ti askujt nuk i ke borxh. Ryshfeti që ta ofrojnë, do të jetë shumëfish i paguar nga ti, nga familja jote dhe nga bashkëqytetarët”!
Ryshfeti i votuesve shpesh është i drejtuar ndaj kategorive më të ndjeshme të qytetarëve. Të varfërve, ata që varen nga ndihma sociale, që nuk mund t’i paguajnë llogaritë për rrymë dhe ujë, që nuk kanë as për bukë… Ata janë votuesit më të “lirë”, ndërsa ryshfeti për votat e tyre shpesh është nga 500 denarë për njeri. Por, shpesh kjo shumë zëvendësohet me thes mielli, kuti me gjësende të nevojshme për shtëpi, dhe shpesh edhe me pagesë të llogarive.
Ryshfeti i votuesve në ditën e votimit është më intensiv. Atëherë, trupi votues u nënshtrohet kërcënimeve, kushtëzimeve, ofrimit të vendeve të punës, por edhe ryshfetit. Ryshfetin e zbatojnë edhe ushtarë më të rëndomtë partiakë, por edhe funksionarë. Ky është një operacion kriminel i organizuar mirë dhe në mënyrë të sofistikuar, i cili kushton shumë para. Ndërsa, ryshfeti i votuesve paguhet nag vetë votuesit.