Pas aksidentit tragjik me autobusin e linjës Shkup-Gostivar, ku humbën jetën 15 persona, një mërgimtar nga Pollogu ka bërë një gjest që ka për qëllim parandalimin e pasojave për të ardhmen.
Blerim Selmani, nga fshati Gjurgjevisht i cili punon në brigadën e zjarrfikësve në Zvicër, me mbështetje edhe të institucionit dhe komandantit të tij, kanë siguruar mjete dhe pajisje të nevojshme për situata të aksidenteve të cilat ia kanë dhuruar brigadës së zjarrfikësve në qytetin e Tetovës. Komandanti i kësaj brigade, Uka Aliti gjatë publikimit të këtij donacioni thotë se mjetet janë shumë të rëndësishme për punën e tyre gjatë menaxhimit me situata të këtilla. “Falemnderime nga zemra për mërgimtarin tonë i cili punon në shtetin e Zvicrës, Blerim Gjurgjevishti Selmani (Sanakos) nga Gjurgjevishti dhe komandantit të tij Reynold Favre, të cilët në mënyrë sa më të shpejtë me ndihmën e kryeshefit të SPB Tetovë, z.Amir Dalipi na i prunë dhe dorëzuan aparaturën për aksidente komunikacioni duke na dhënë kurajo dhe duke u lutur që kurrë mos tëbndodhin kto lloj fatkeqësi ku jeta e faktorit njeri është në pyetje. NJTKZ.Tetovë nga zemra i falënderon për gjestin human që bënë… faleminderit popullit zviceran… miku i mirë në momente të vështira të duhet”, shprehet Aliti.
I kontaktuar nga redaksia jonë ai thotë se ky donacion ka si shkas tragjedinë e fundit, por zbulon se ka edhe mërgimtatë dhe afaristë të tjerë që ndihmojnë zjarrfikësit e Tetovës me pajisje të ndryshme. “Po është edhe një nga Shemshova me emrin Jamin nga Kryslingen i cili gjithmonë na sjell donacione prej Zvicre si dhe një djalosh nga Veshalla me emrin Fatmir dhe një tjetër Hashim të cilët para 3 muajsh na kishin dërguar zorë shumë kualitative dhe helmeta për njësin e Tetovës. Zoti i shpërbleftë me gjith të mira kta zemërmirë”, thoë Uka Aliti komandant i njësitit kundër zjarrit në Tetovë. Ndërkohë zjarrfikësit vazhdojnë të ballafaqohen me mungesa të mëdha si në aspekt të ekipimit ashtu edhe të pajisjeve. Nga Brigada e Tetovës kujtojnë se ligjërisht për 1500 banorë duhet të ketë nga një zjarrfikës, ndërsa kjo brigadë përveç Tetovës mbulon edhe 5 komuna rurale si dhe qendrën turistike Kodra e Diellit. Nga institucionet shtetërore thonë se kanë shumë pak mbështetje dhe se shumë pajisje mbahen nëpër depo dhe nuk ju jepen zjarrfikësve dhe ekipeve të shpëtimit në shërbim dhe menaxhim me situatat kritike ku rreziku është i madh edhe për jetërat e qytetarëve por edhe për vetë të punësuarit në njësitet e këtilla.
Arben Zeqiri