Në Gjykatën penale në Shkup sot në kornizat e gjykimit për ngjarjet në Kuvend më 27 prill 2017 me fjalë përfundimtare u paraqitën të akuzuarit Munir Pepiq, Abdulfeta Alimi, Igor Durllovski, Mlladen Dodevski dhe Jane Çento, të cilët akuzohen për vepër penale rrezikim terrorist të rendit kushtetues.
“A ka dhunë më të madhe nga hapja e derës për një masë të çoroditur njerëzish”, pyeti Jane Çento, duke aluduar për amnistinë e cila i përfshiu pothuajse gjysmën e të akuzuarve për 27 prillin. Pas fjalëve përfundimtare ai tha se ka pasur ofertë për punë në DSK, por ka refuzuar edhe pse rroga e ofruar ka qenë dyfish më e lartë se ajo në DAP. Ai gjithashtu theksoi se e ka refuzuar ofertën e MPB dhe PTHP të jetë dëshmitar i mbrojtur që të mos përndiqet.
I akuzuari Alimi theksoi se më 27 prill ai çdo gjë që ka vepruar, ka qenë me dijeninë e eprorëve të tij. Ai theksoi se Goran Gjoshevski – Levit ia ka dhënë çelësat e dyerve sepse nuk e ka ditur pse i kërkon.
I akuzuari Durllovski në gjykimin e sotëm tha se më 27 prill vetëm e ka kënduar himnin e Maqedonisë, pastaj ka shkuar në lojë hendbolli me të birin, ndërsa kur e ka kuptuar se ka rrëmujë në Kuvend, është kthyer.
I akuzuari Mlladen Dodevski ka shprehur keqardhje për ngjarjet në Kuvend dhe ka deklaruar se ai nuk ka kryer dhunë.
Pepiq në fjalët e tij përfundimtare ka theksuar se nuk është pjesë e asnjë shoqate terroriste, por se në Kuvend ka qenë prezent zyrtarisht.
Procesi gjyqësor ka filluar në gusht të vitit të kaluar dhe udhëhiqet nga Dobrilla Kacarska, ndërsa si përfaqësues i akuzës është Villma Ruskovska. Procesi filloi kundër 33 të akuzuar, por në pajtim me Ligjin për amnisti, u amnistuan gjithsej 15 persona.