Në seancën e djeshme, të parën pas formimit, Komisioni kundër korrupsionit paralajmëroi se do ta monitorojë fushatën zgjedhore për zgjedhjet presidenciale dhe për kryetarët e komunave Novo Sellë, Ohër dhe Dibër. Ata paralajmëruan se nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në mbarimin e tyre, ndërmarrjet publike dhe shtetërore nuk guxojnë të punësojnë.
Paralajmërimi i njëjtë vlen edhe për procedura të reja për ndërtime të objekteve të reja me mjete nga buxheti shtetëror, si dhe mbajtje të ngjarjeve publike me rastin e fillimit të ndërtimit ose lëshimin në përdorim të objekteve që do t’i shfrytëzonin këto mjete.
Gjatë kësaj fushate, paralajmëroi Komisioni shtetëror kundër korrupsionit, është i ndaluar shfrytëzimi i zyrave, pajisjeve dhe automjeteve zyrtare, përveç personave për të cilët vlejnë rregullat e veçanta për mbrojtje të personit.
Sa u përket punësimeve të personave të afërt të funksionarëve nga LSDM dhe BDI në ELEM dhe MEPSO, kryetarja e Komisionit Biljana Ivanovska deklaroi se nuk ka paraqitje deri te Komisioni. Por, se Komisioni nuk ka pengesë ligjore të formojë lëndë. Se cilat raste konkrete të korrupsionit do të fillojë t’i hetojë Komisioni, do të bëhet e njohur në seancën e dytë.
Sipas deklaratës së Ivanovskës, është shkelur Neni 56 nga Ligji i ri për parandalimin e korrupsionit në të cilin thuhet se personi i zgjedhur i emëruar, ose personi përgjegjës në ndërmarrjen publike ose person tjetër juridik është i obliguar ta informojë Komisionin Shtetëror kundër korrupsionit për çdo zgjidhje, emërim ose punësim të anëtarit të familjes, në organ shtetëror, organ të vetëqeverisjes lokale, ndërmarrjes publike ose personit tjetër juridik në afat prej 10 ditë nga afati i zgjidhjes së zbatuar, emërimit ose punësimit.