Pas aksidentit tragjik mbrëmë në autostradën Shkup – Tetovë, jetën e humbën 14 udhëtarë, ndërsa shumë nga të mbijetuarit ende luftojnë për jetë.
Në seancën e jashtëzakonshme të qeverisë mbrëmë u vendos që 14 dhe 15 shkurti të shpallen për ditë zie.
Deri tani është e njohur se autobusi me 51 udhëtarë, është nisur nga Shkupi në ora 16,15, ndërsa me këtë autobus zakonisht kanë udhëtuar shërbyes publikë dhe studentë nga Gostivari. Autobusi, sipas informatave të deritanishme, ka kaluar në anën e kundërt të rrugës, ka hyrë në rrugën rajonale dhe është rrokullisur në tatëpjetën. Shtatë persona e kanë humbur jetën në momentin e aksidentit.
Në Spitalin e qytetit “8 Shtatori” janë pranuar 37 persona, nga të cilët 6 kanë vdekur. Në “Sh. Naum Ohridski” e ka humbur jetën një person, ndërsa në qendrën klinike janë pranuar 7 persona, nga të cilët 3 janë me lëndime serioze. Në Qendrën e Emergjencës është pranuar edhe një grua shtatzëne 28 vjeçare e cila është në gjendje të mirë shëndetësore.
Vozitësi i autobusit është i hospitalizuar në spitalin e qytetit, me atë ka biseduar policia dhe ai është në gjendje të mirë shëndetësore, siç informoi ministri për shëndetësi, Venko Filipçe.
Kufomat e udhëtarëve janë dorëzuar për obduksion në Institutin për mjekësi ligjore, ndërsa disa nga viktimat ende nuk janë të identifikuar.
Mbrëmë vonë para Spitalit të qytetit “8 Shtatori” u lexuan emrat e udhëtarëve që shpëtuan, teksa familjet e tyre pritnin me shpresë se do ta dëgjojnë emrin e tyre në listën e të mbijetuarve.
Gjatë ditës së sotme priten më tepër informata për udhëtarët e lënduar dhe për shkaqet për aksidentin fatkeq me autobusin në afërsi të Karpallakut.
Në seancën e sotme të këshillit të Komunës së Gostivarit, pritet të vendoset për shpalljen e e tre ditëve zie në shenjë respekti ndaj viktimave.