Drejtori i Policisë së Shtetit të Republikës së Shqipërisë, Ardi Veliu nuk ka pranuar të flasë në lidhje me deklaratën e Prokurorit të Maqedonisë lidhur me kamerat e sigurisë, që sipas autoriteteve maqedonase nuk janë dorëzuar nga pala shqiptare.
“Megjithëse objekti i komuinikimit për shtyp nuk ishte ky, ne nuk kemi dijeni në lidhje me këtë pyetje që ju po na bëni”, shprehet Drejtori i policisë
Pak ditë më parë Prokurori Publik në Maqedoni Ljubomir Jovevski sqaroi se regjistrimet nuk janë fshirë qëllimisht, por sistemi shqiptar i mbikqyrjes i ka hequr në mënyrë automatike regjistrimet e vjetra.
“Nuk janë fshirë qëllimisht nga shërbimet kufitare shqiptare. Ka disa momente në shpjegimin e tyre. Një gjë është se të dhënat janë të shumta në kamerat e sigurisë dhe se sistemi nuk mund t’i ruajë për një kohë të gjatë. Nuk i kanë fshirë, por ato pajisje punojnë në mënyrë automatike”, ka deklaruar Jolevski.
Ndërkohë, ish kryeministri i arratisur dhe azilant në Hungari, Nikolla Gruevski, mori pjesë në intervistë në një nga televizionet nacionale të Republikës së Maqedonisë. Mes tjerash, ai deklaroi se nga Maqedonia në Shqipëri nuk ka ikur, por thjeshtë ka udhëtuar, si dhe se për ndihmën eventuale për kalimin në Shqipëri, nuk do të zbulojë detaje por do t’ua lë autoriteteve të Maqedonisë të hetojnë.
D.T.