Të pakënaqur nga Ligji për Tregje të Gjelbra me të cilin kërkohet që të njëjtit të sigurojnë licenca që të shesin në tregje, një grup i pronarëve të tezgave në Bit Pazar, sot në mëngjes e kanë bllokuar bulevardin “Kërste Misirkov”. Njëkohësisht, një grup tjetër i tregtarëve që shesin në Tregun e Gjelbër të Shkupit kanë protestuar përpara Kuvendit. Nga Shoqata e Tregtarëve dhe Oda e Tregtarëve thonë se nuk qëndrojnë mbrapa këtyre protestave.
“Anëtarët tanë nuk protestojnë. Ne atë që e kemi kërkuar e kemi marrë në ligj, por kemi informata se sot në mëngjes edhe ata tregtarë që s’kanë dashur të protestojnë janë në rrugë pasi që dyert e tregut janë të mbyllur. Dyert e këtij tregu dhe tregjeve tjera nuk guxon që mbyllen dhe ai që këtë e ka bërë sipas të gjitha gjasave është nga Tregu i Shkupit”, thotë kryetari i Shoqatës së Tregtarëve dhe i Odës së Tregtarëve, Ekrem Dolek.
Ai shton se sipas informatave të tij, edhe disa tregje tjera janë mbyllur.
Licencat për tezga nga Oda Ekonomike e Maqedonisë, kushtojnë 3.600 denarë, ndërsa për tezgë të dytë duhet të paguhen 2400 denarë.
Tregtarët kërkojnë prolongimin ose tërheqjen e ligjit, i cili parasheh që pensionistët, honoraristët dhe shfrytëzuesit e ndihmave sociale të mos punojnë në tregje.
D.T.