Me shumicë prej 81 deputetë në Kuvend mbrëmë u votua Ligji për parandalimin e korrupsionit, pas dhjetë muaj pritje. Gjatë votimit, deputetët e VMRO-DPMNE dhe anëtarët e mëparshëm t cilët tani funksionojnë si grup i pavarur, këmbyen akuza ndaj njëri tjetrit.
Kritika u drejtuan edhe ndaj LSDM për vonesën prej dhjetë muaj për miratimin e këtij ligji. Deputetja Nola Starova Ismaillova tha se është e pakënaqur nga mënyra se si ligji erdh në rend të ditës dhe i akuzoi dy partitë më të mëdha. “Së pari dëgjuam se si LSDM imponon ligj me forcë dhe se VMRO -DPMNE tenton ta bllokojë, e pastaj u arrit marrëveshje”, tha deputetja.
Deputetja Daniella Rangellova e akuzoi partinë e saj për amendamentin me të cilin nuk duan të ketë qasje të lirë në llogaritë e deputetëve. Ajo përkujtoi se tani DAP ka të drejtë të inspektojë llogaritë e qytetarëve, dhe prandaj ajo nuk sheh arsye se pse Antikorrupsioni nuk do të mundej t’i inspektojë llogaritë e deputetëve. “Çfarë kemi ne më tepër se ata?”, pyeti Rangellova.
Edhe deputeti Ilija Dimovski u shpreh për kontrollim të lirë të llogarive të deputetëve, dhe shkoi edhe më larg, duke kërkuar që Komisioni kundër korrupsionit të mundet ta kontrollojë edhe statusin e pronës së politikanëve.
Deputetët tjerë të VMRO-DPMNE u lëvduan se me miratimin e 20 amendamenteve të tyre tani Maqedonia më në fund ka ligj cilësor kundër korrupsionit dhe komision profesional dhe të pavarur.
Edhe deputetët e LSDM dolën me lëvdata të ngjashme, se me ligjin e ri implementohet edhe reforma e rëndësishme në luftën kundër korrupsionit.
Teksti dhe fotografia: Arben Zeqiri