Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë mbrëmë vonë e nënshkroi ligjin për gjuhët, me të cilin gjuha shqipe bëhet gjuha e dytë zyrtare në Maqedoni.
Ligjin e nënshkruar Xhaferi e ka dërguar në Gazetën Zyrtare për shpallje, i cili pas shpalljes do të hyjë në fuqi.
Kryetari i Kuvendit Xhaferi në profilin e tij në Fejsbuk ka publikuar fotografi duke e nënshkurar ligjin, dhe nën fotografinë ka shkruar në gjuhën shqipe dhe maqedonase “ Ligji për përdorimin e gjuhëve edhe në Gazetën Zyrtare”.
Shpallja e ligjit për përdorimin e gjuhëve në Gazetën zyrtare u paralajmërua në muajin tetor të vitit të kaluar nga Xhaferi.
“Kjo nuk është çështje e premtimeve të mia, kjo është çështje e obligimeve të mia kushtetuese. Pavarësisht se kur do të ndodh”, tha atëherë Xhaferi.
Ligji për përdorimin e gjuhëve, i cili u miratua para një viti, është dërguar në Gazetën zyrtare por pa nënshkrimin e kryetarit të shtetit Gjorge Ivanov, i cili atëherë refuzoi ta shfrytëzojë me arsyetim se është në kundërshtim me kushtetutën.
Ivanovi dy herë ka refuzuar nënshkrimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve të cilin shumica parlamentare e LSDM dhe BDI, me mbështetjen e opozitës shqiptare dhe pa prezencën e deputetëve të VMRO-DPMNE, për herë të parë e votuan më 11 janar të vitit të kaluar, dhe për herë të dytë më 14 mars të vitit të kaluar.
Opozita të hënën njoftoi se shpallja e Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Gazetën Zyrtare pa nënshkrimin e Ivanovit është “vepër penale e cila nuk vjetrohet dhe për të cilën pason dënim me burg”.
D.T.