Me ndërtimin e autostradës në gjatësi prej 12,5 kilometra dhe vlerë investuese prej 110 milionë euro, pritet udhëtimi midis Prishtinës dhe Shkupit të shkurtohet prej dy orë në 45 minuta.
Zëvendëskryeministri Osmani theksoi se bëhet fjalë për projekt strategjik për Maqedoninë dhe se Kosova është tregu më i lirë dhe më përkatës eksportues për shtetin.
“Këmbimi vjetor tregtar me Kosovën është rreth gjysmë miliardë euro me ç’rast Maqedonia ka suficit të konsiderueshëm. Prandaj është shumë e rëndësishme të kemi autostradë që të munden tregtarët tanë ta dërgojnë mallin në Kosovë”, tha Osmani duke shtuar se projekti është me rëndësi të madhe rajonale si pjesë e agjendës për lidhje në kuadër të Procesit të Berlinit.
Siç sqaroi ministri Sugareski është duke u bërë ri projektimi nëpër të gjithë aksin për shkak të problemeve me të cilat janë ballafaquar përgjatë gjithë trasesë në pjesën e tjetërsimit të tokës dhe tek projekti kryesor për ndërtim. Është përcaktuar se duhet të bëhet ri projektimi për shkak të nevojës së zhvendosjes së pjesëve nga traseja e projektit kryesor. Në trasenë e paraparë me projektin e vjetër ka kapacitete industriale dhe varreza të sapoformuara.
Projekti për tunelin, informoi Sugareski, nuk i plotëson standardet ndërkombëtare vijuese për ventilim dhe sisteme për mbrojtje nga zjarri dhe evakuimi dhe është i nevojshëm ri projektim. Njëherësh nuk janë kryer hulumtime gjeoteknike detajuese. Konsulentët kanë rekomanduar që kjo të bëhet në kuadër të projektit të ri duke e pasur parasysh topografinë dhe numrin e tuneleve dhe objekteve në autostradë.
“Këto janë sfida të cilat do të tejkalohen këtë vit. Fazën e parë do ta fillojmë këtë vit, ndërsa faza e dytë fillon në vitin 2020″, theksoi Sugareski duke theksuar se bëhet fjalë për projekt me rëndësi rajonale.
Siç tha Osmani në përgjigjen për pyetjen e gazetarëve, emri i autostradës së re akoma nuk është përcaktuar ndërsa në bisedat joformale me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti është theksuar emri i Arbër Xhaferit siç është emëruar edhe autostrada në Kosovë. Për këtë çështje tha Osmani, do të bisedohet shtesë në Qeveri.