Në Kuvendin e Maqedonisë sot do të mbahet seanca e 75 parlamentare, me gjashtë pika në rendin e ditës, dhe fillon faza e tretë dhe e fundit për ndryshimin e Kushtetutës, si pasojë marrëveshjes së Prespës. Amendamentet kushtetuese të propozuara nga Qeveria, duhet të mbështeten nga së paku dy të tretat e deputetëve në Kuvend ose 80 deputetë të votojnë “për”.
Kryeministri Zoran Zaev po i mënjanon pengesat e fundit për sigurimin e shumicës së duhur për votimin përfundimtar për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës. Në takimin me përfaqësuesit e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Selën dhe Arben Taravarin, dje pasdite është arritur kompromis mes kryeministrit dhe Selës, për kërkesat për ndryshimet në kushtetutë, të cilat Aleanca dhe Besa i kanë parashtruar në Qeveri në formë të amandamenteve.
Pasi i pranoi disa nga amendamentet e propozuara nga ASH, kryeministri Zaev dhe ministri për punë të jashtme Dimitrov janë takuar me Fadil Zendelin nga Besa, me të cilin kanë i kanë afruar qëndrimet për çështjen e shtetësisë në dokumentet personale. Ata kanë shprehur gatishmëri për pranimin e kërkesës nga Besa, në dokumentet personale në gjuhë shqipe të shënohet vetëm “shtetas i Republikës së Maqedonisë, ndërsa në gjuhën maqedonase të mbetet “shtetësia- Maqedonase, qytetar i Republikës së Maqedonisë”.
Ndërkohë, Sela shprehet se nuk do të heq dorë nga zyrtarizimi i gjuhës shqipe, edhe pse për momentin kjo nuk do të realizohet, por se do t’i mbështesë ndryshimet në Kushtetutë, për realizimin përfundimtar të Marrëveshjes së Prespës mes Maqedonisë dhe Greqisë.
Kryeminstri Zaev sot duhet të takohet edhe me grupin parlamentar të përjashtuar nga VMRO – DPMNE.