Në përgjithësi vitin 2018 në aspekt politik do ta mbaj mend për dy komponenta, e para është Marrëveshja e Prespës e cila sipas meje ishte një marrëveshje që pasqyroi dialogun politik në mes dy shteteve që deri dje ishin të armiqësuara kushtimisht thënë sa i përket zgjidhjes së çështjes së emrit së R.M-së. Me këtë marrëveshje u tregua se edhe shtetet e Gadishullit Ballkanik kur duan dhe kanë vullnet politik mund të arrijnë deri te një zgjidhje e cila do të siguroj paqe dhe stabilitet në Ballkan, por edhe do të përmendet edhe viteve në vijim si shembull I politikës së mirëfilltë.
Komponenta tjetër e cila e ka karakterizuar vitin që po e lëmë pas është ligji për amnisti ligji për t’i falur ata që ishin fajtorë kryesor për të ndodhur 27 prilli. Një akt i cili edhe nga prokurori u cilësua si organizim terrorist, mirëpo faktori politik i tanishëm, pushteti, me një marrëveshje të gjërë me opozitën vendosën që t’i falin këta njerëz. Unë mendoj se përkundër marrëveshjes së Prespës kjo marrëveshje brenda spektrit politik në Maqedoni, jep një pasqyrë negative, nuk ka të bëjë me vlera universale nuk ka të bëjë me vlera europiane sepse mendoj se të njëjtit që kanë organizuar apo kanë vepruar për ta dëmtuar atë ditë më 27 prill edhe kuvendin si institucion por edhe R. e Maqedonisë si shtet nuk duhet falur për shkakun se të njëjtit do të jenë të gatshëm edhe nesër në rast të ndonjë mospajtimi ideologjik do të ishin në gjendje ta bëjnë të njejtën. Mendoj se janë këto dy arsye të cilat duhet të na shpijnë drejtë asaj se, duhet shikuar dy anët e medaljes, duhet të mësojmë nga marrëveshja e Prespës, por duhet të mësojmë edhe nga gabimi që ndonjëherë klanet apo elitat politike për ta shpëtuar vetveten për përfitime personale dinë të bëjnë edhe marrëveshje të padrejtë.
Nga këndvështrimi im viti 2019 mendoj që do të jetë edhe me më tepër sfida se viti 2018. Për arsye se tani në qoftë se nënshkruhet, gjegjësisht vendoset të aplikohet Marrëveshja e Prespës, kjo kërkon mund dhe përkushtim, gjithashtu edhe përfshirje, inkluzivitet e të gjithë spektrit politik në Maqedoni. Rruga euro atlantike hapet me Marrëveshjen e Prespës, me rëndësi është të përmendet edhe hapja e Kushtetutës ndryshimet që duhet të bëhen, jam optimist se pushteti edhe në këtë rast duhet ta ketë parasysh inkluzivitetin, përfshirjen e të gjitha palëve etnike dhe religjioze në Kushtetutën e RM-së. Jemi dëshmitarë se deri më sot pikërisht Kushtetuta ka qenë problemi kryesor që nuk kemi pasur kohezion politik mendoj që në qoftë se Kushtetuta bëhet më gjithëpërfshirëse. Këtu dua të theksoj se shqiptarët arrijnë të bëhen etni shtet formuese mendoj që Kushtetuta më mirë do ta pasqyronte realitetin apo spektrin politik në Maqedoni, kjo do të garantonte që në të ardhmen vendi të gëzoj pajtueshmëri nga shumë palë, nga shumë etni, dhe të jetë më vendimtare më e përkushtuar drejt euro integrimeve. Pres një aktivizëm qytetarë më të madh, aktivizëm që mungoi në vitin e kaluar, duhet të dëshmojmë se e mundim tribalizmin, po ecim drejt shtigjeve të zhvillimit demokratik ku e dimë se shoqëri demokratike cilësohen dhe karakterizohen me theksimin e aktivizmit qytetarë. Vetëm me aktivizëm qytetarë do të jenë më të zgjuara edhe më të përgjegjshme edhe institucionet shtetërore, mendoj këtu duhet të bëjmë shtypje të kërkojmë përgjegjësi nga institucionet për të bëmat e tyre. Vendi deri më vitin 2018 më tepër ishte i fokusuar në politikën e jashtme, qeveria e sotme në fushatën parazgjedhore kishte premtuar garancion ekonomik, rritje të pagave, kjo deri më tash nuk ka ndodhur, dhe mendoj që pikërisht aktivizmi qytetarë këtu duhet të fokusohet më tepër, dhe ekstremisht të kërkojë plotësimin e këtij premtimi se vetëm një stabilitet socio ekonomik mund të garantoj pas kësaj edhe paqe edhe siguri në fushat tjera.
Teksti dhe montazhi: Arian Mehmeti
Fotografi dhe kamerë: Dehran Muratov