Ata që janë pak më në moshë e kujtojnë Vitin e Ri me nostalgji, ku në televizionin e asaj kohe natën e vitit të ri ekskluziviteti më i madh ishte filmi “Superman”, film ky që në kinematë botërore kishte dalë para dhjetëra viteve, mirëpo televizioni shtetëror e sillte si premierë; nuk kishte si sot me qindra programe, rrjete sociale e shumë gjëra tjera që e bëjnë vitin e ri më pak ose më shumë interesant.
Supermeni ishte nocioni i vitit të ri të para disa dekadave, nuk kishte fishekzjarre të ndryshme, kishte vetëm disa xixa dhe tek tuk ndonjë petardë…
Ai momenti kur prishej programi dhe e deshte dikush të dal jashtë për ta rregulluar antenën, më shumë bërtitshim mirëëëë mirëëëë, mos e nguc, jo joooo u prish prap…
Në këndet e jashtme të shtëpisë akujt e varur nga 1 metra të gjatë, ai që rregullonte antenën shpesh e përdorte akullin edhe si shkop ndihmës, pastaj i kujtohej se ai këputet shpejt, kafshonte akullin frynte dorën për ta nxehur dhe pyeste: a u rregullu a ta lë krejt?
Fati i madh ishte sepse Supermeni zgjaste mbi tre orë dhe ne kishim mundësi edhe ta rregullonim antenën edhe ta shikonim pjesën më të madhe të filmit; ishte koha kur besonim te Supermeni. Unë them se ka qenë kohë më e mirë sepse në fund të fundit më mirë t’i besosh Supermenit se sa kryetarit të nëndegës apo kryetarit të komunës.