Mbrëmë ka skaduar afati deri në të cilin personat e involvuar në ngjarjet e dhunshme në Kuvend më 27 prill vitin e kaluar kanë mundur të dorëzojnë kërkesë për amnisti, në pajtim me Ligjin për amnisti. Rreth 70 persona janë involvuar në ngjarjet e 27 prillit, ndërsa gjithsej 33 janë akuzuar në procesin gjyqësor për 27 prillin, prej të cilëve 31 persona për rrezikimin terrorist të rendit kushtetues të shtetit, dhe dy persona – për nxitje.
Në Gjykatën Penale në Shkup dje deri në orën 15 kanë arritur gjithsej 62 kërkesa, prej të cilave 27 në Sektorin për krim të organizuar dhe korrupsion dhe 35 në Sektorin për persona të rritur penal. Afati për dorëzimin e kërkesave për amnisti ishte deri në mesnatë, ndërsa zgjati pesë ditë pasi u publikua Ligji në Gazetën Zyrtare.
Nga Gjykata Penale dje kumtuan se do të merren parasysh kërkesat të cilat në afatin e përcaktuar me ligj do të dorëzohen në mënyrë plotësuese në Gjykatë me postë.
Në mesin e atyre të cilët kanë dorëzuar kërkesë, sipas disa medieve , janë deputetët Krsto Mukoski, Lupço Dimovski dhe Johan Tarçullovski si edhe Aleksandar Vasilevski Ninxha, Nikolla Mitrevski Kolo, Goran Angellov – Qose, Ivan Cvetanovski, Goran Gjoshevski Levi dhe Mitko Peshov, vëllezërit Mihail dhe Stefan Mlladenovski, Abdylfeta Alimi dhe Zaharie Simovski. Kërkesa për amnisti kanë shtruar, siç shkruajnë një pjesë e mediave edhe regjisori Boris Damovski, njëri prej tre udhëheqësve të protestës “Për Maqedoni të përbashkët” dhe operisti Igor Durllovski.
Jane Çento dhe Igor Jug, të cilët janë midis 33 të akuzuarve për ngjarjet e 27 prillit në seancën e fundit, u prononcuan se nuk do të kërkojnë amnisti por drejtësi.
Kërkesë për amnisti mund të dorëzojnë edhe të akuzuarit për tentim vrasjen e deputetit Ziadin Sela si edhe për sulmin e ministres Radmilla Shekerinska. Avokatët e Pançe Angellov, i cili është i dënuar me katër vjet burgim për veprën “dhunë”, ndaj Shekerinskës gjatë sulmit në Kuvend më 27 prill dhe i Nikolla Vojminovskit i dënuar me 13 vjet e gjysmë për tentimin për vrasjen e Ziadin Selës, konfirmuan se kanë shtruar kërkesë për amnisti.
Pas skadimit të afatit për shtrimin e kërkesave, Gjykata dhe Prokuroria do të kenë afat prej pesë ditësh të përgjigjen se kush do të jetë i amnistuar.