Katedralja e Prishtinës mund të shfrytëzohet për faljen e namazit nëse është nevoja, pasi pa marrë parasysh cilës fe i takojmë, të gjithë janë vëllezër, sipas Vikari gjeneral në Ipeshkvinë e Kosovës, Don Lush Gjergjit.
“Tek ne nuk ka ndodhë dhe fatbardhësisht nuk ka ndodhë sepse ka me mijëra xhamia, kurse kemi pak kisha. Por në perëndim atje ku nuk kanë hapësira kisha katolike shpesh herë i ka hapë dyert e veta dhe u ka mundësuar besimtarëve të përkatësisë islame, pa marrë parasysh nga cili vend apo shtet vijnë ata. Tek ne situata është shumë më specifike, sepse ne jemi pakicë e ata janë shumicë. Por, ne jemi vëllezër gjithmonë” ka thënë Don Lush Gjergji për gazetën inFokus.
Po ashtu, Don Lush Gjergji ka thënë se e përkrahin ndërtimin e një xhamie të madhe në Prishtinë.
“Ne jo vetëm që nuk kemi asgjë kundër, por çdo objekt që ndërtohet në lavd të Zotit dhe në dobi të besimtarëve është i mirëseardhur, kuptohet se kompetenca për ndërtimin e një xhamie të tillë i përket BIK-ut, sikurse neve na përket ndërtimi i objekteve apo kishave tona. Por, gjithsesi jo vetëm që nuk jemi kundër, por e lusim Zotin që çdo gjë që ndërtohet të ndërtohet me nijet dhe qëllim të mirë, të jetë në nder dhe në dobitë të madhit Zot, si dhe në dobi të besimtarëve që ne ato objekte do ta nderojnë Zotin dhe do të mësojnë ta duan e ta respektojnë njëri tjetrin” u shpreh Ipeshkvi i Kosovës.
Don Lush Gjergji u shpreh i gatshëm për të ndihmuar ndërtimin e xhamisë në Prishtinë dhe inkurajoi besimtarët katolikë që të japin ndihmën e tyre në këtë aspekt.