Mësimdhënia e gjuhës shqipe si lëndë zgjedhore në shkollat 8 vjeçare në Turqi, përkrah kurseve intensive të pavarura të shqipes u konsiderua sot si një arritje e rëndësishme nga Ambasadori i Shqipërisë në Turqi, Genti Gazheli.
Në mesazhin drejtuar shqiptarëve me rastin e festave të fundvitit, Gazheli evidentoi të gjitha sfidat dhe arritjet gjatë vitit 2018.
“2018-ta po mbledh rrezet e fundit dhe kjo ambasadë mendon se i ka përmbushur më së miri sfidat që u shfaqën. Sfidat tona në të shumtën e rasteve ishin dhe janë kurorëzim suksesesh. Viti që po lëmë, për nga ana e realizimit të objektivave, mund të thuhet se ka shumë pika për tu vënë në pah”, tha Gazheli.
Numri i individëve apo i bizneseve, që duan të vijnë në Turqi apo të shkojnë në Shqipëri, sipas ambasadorit, është gjithnjë në rritje.
Përveç kësaj, Gazheli theksoi se ambasada shqiptare ka qenë aktive si në diplomacinë ekonomike me vizitat që ka bërë dhe në thithjen e investimeve. Po ashtu, ai nënvizoi asistencën e ofruar shqiptarëve apo rolin e ambasadës në ekuilibrin e marrëdhënieve me vendin pritës dhe vendin që mbulojmë.