Sefer Canoski gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën Penale në Shkup tha se Ali Ahmeti, i ka thënë personalisht se objekti do të rrënohet, pasi babai i tij e ka lëshuar koalicionin me OBRM-PDUKM-në dhe BDI-në dhe është bashkangjitur me LSDM-në.
“Përgjigjja e Ali Ahmetit ishte: para se të vish, unë fola me Gruevskin. Rrënimi bëhet për shkak se babai yt e ka lëshuar koalicionin e OBRM-PDUKM-së dhe BDI-së dhe ka shkuar me LSDM-në”, tha Sefer Canoski.
Ndërsa për ta parandaluar rrënimin e objektit “Kosmos”, Canoski ka kërkuar ndihmë edhe nga afaristi Orce Kamçev, i cili tani ndodhet në paraburgim, si i dyshuar në disa lëndë të PSP-së.
“Fqinj të parë e kam pasur Orce Kamçevin. E kam lutur që të bisedojë me qeverinë e atëhershme, nëse mundet që të mos shkojnë tek skenari më i errët. Disa ditë më pas më është thënë se ai është i afërt me Sasho Mijallkovin, e jo me Nikolla Gruevskin”, tha Sefer Canoski.
Ndryshe, rasti “TNT” ndodhet në fazën e dëshmive, ndërsa në mesin e të akuzuarve janë edhe Nikolla Gruevski, Mile Janakieski dhe Toni Trajkovski.
Sipas PSP-së, të akuzuarit në vitin 2011 kanë kryer vepër penale për shkak të urrejtjes politike, duke e rrënuar kompleksin “Kosmos” të Fijat Canoskit.