Në Gjykatën Penale deri sot në mëngjes kanë arritur 12 kërkesa për amnisti, nga të akuzuarit për ngjarjet më 27 prill 2017, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
Afati për dorëzimin e kërkesave për amnisti vazhdon deri nesër. Pas mbarimit të afatit, Gjykata dhe prokuroria do të kenë afat prej pesë ditëve për vendosjen se kush do të amnistohet, e kush jo.
Ligji për amnisti u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikë së Maqedonisë të enjten e javës së kaluar, pasi u nënshkrua nga presidenti Gjorge Ivanov.
Kuvendi i Maqedonisë më datën 18-të të këtij muaji me procedurë të shkurtër me 95 vota “pro”, asnjë kundër dhe asnjë abstenim e miratoi Ligjin për amnisti për ngjarjet në Kuvend më 27 prill të vitit të kaluar.
Për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend janë akuzuar gjithsej 33 vetë, prej të cilëve 31 për kërcënim terrorist të rendit kushtetues të shtetit dhe dy për nxitje.
Në bankën e të akuzuarve në gjykatë janë Luben Arnaudov, Sasho Vasilevski, Krsto Mukoski, Lupço Dimovski, Johan Tarçullovski, Mitko Çavkov, Mitko Peshovski, Dushko Llazarov, Goran Joshevski – Levi Oliver Popovski, Oliver Radullov, Sasho Markovski, Munir Pepiq, Abdulfeta Alimi, Elena Docevska – Bozhinovska, Ivan Cvetanovski Boris Damovski, Bogdan Ilievski – Betmen, Vllado Jovanovski, Igor Durllovski, Stefan Mlladenovski, Mihaill Mlladenovski, Zakariе Simovski, Mlladen Dodevski, Jane Çento, Goranço Angellovski, Igor Jug, Ilia Sllaveski, Vllatko Trajkov, Viliam Mihajllovski, Nikolla Mitrevski – Koljo , Aleksandar Vasilevski – Ninxha dhe Mitre Pitropovski.