Gjatë debatit të djeshëm, Komisioni për çështje kushtetuese miratoi tre nga shtatë amandamentet e propozuara të Propozim-ligjit.
Me dhjetë vota “për” u miratua amandamenti i propozuar nga deputetët e pavarur të VMRO-DPMNE-së, me të cilin saktësohet se amandamentet kushtetuese prej 33 deri 36 të Kushtetutës nuk prodhojnë veprim juridik, nuk hyjnë në fuqi dhe janë të pavlefshëm nëse Greqia nuk e përmbushë menjëherë obligimin e saj për ta pranuar Marrëveshjen e Prespës dhe ta ratifikojë protokollin për anëtarësim të Maqedonisë në NATO. Amandamentin në tërësi e pranoi edhe përfaqësuesi qeveritar, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Andrej Zhernovski, ndërsa Sonja Mirakovska nga PRSD tha se me të, në mënyrë më të qartë, më të fuqishme dhe më të kuptueshme për qytetarët garantohet zbatimi i Marrëveshjes së Prespës.
Me riformulimin nga Komisioni unanimisht u pranua edhe amandamenti, fillimisht parashtruar nga deputetët Ziadin Sela dhe Surija Rushiti nga Aleanca për Shqiptarët, me të cilin ceket se kufiri shtetëror i Republikës së Maqedonisë është kufiri ynë ekzistues me Shqipërinë, Bullgarinë, Greqinë, Serbinë dhe Kosovën me të cilin, siç tha Zhernovski, pranohet realiteti se Maqedonia ka fqinj të ri, Republikën e Kosovës.
Me riformulimin nga Komisioni me tetë vota “për” dhe dy “kundër” u pranua edhe amandamenti me të cilin në nenin 2 paragrafi 2 nga Ligji kushtetues pika në fund zëvendësohet me presje dhe shtohen fjalët që nuk e përcaktojnë e as nuk e përshkruajnë përkatësinë etnike të qytetarëve. Me këtë, siç u tha, vihet distinksion i qartë mes shtetësisë dhe përkatësisë etnike të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Për këtë amandament u parashtruan dy propozime të ngjashme, i pari i propozuar nga deputeti Muhamed Zekiri nga LSDM, ndërsa i dyti nga deputetët e pavarur të VMRO-DPMNE-së të cilët u tërhoqën pas harmonizimit të tekstit të amandamentit nga Komsioni.
Polemikë më e madhe u zhvillua për dy amandamentet e parashtruara nga deputetët e Besës dhe Aleancës për Shqiptarët me të cilat kërkohej në dokumente në grafën e shtetësisë të shkruajë qytetarë të Republikës së Maqedonisë Veriore, në vend se siç është paraparë në Ligjin kushtetues – maqedonas/qytetarë të Republikës së Maqedonisë Veriore. për Fadil Zendelin e Besës, në atë mënyrë futet koncepti etnik në vend të atij shtetëror. Ai theksoi se sovraniteti i shtetit rrjedh nga qytetarët dhe shtetësia i takon qytetarëve. me propozimin, siç tha, vetëm shtohen hendeqe dhe probleme të reja mes qytetarëve. Në replikë, zëvendësministri Zhernovski i theksoi se logjika e tij është e drejtë dhe se pasi që të hyjnë ndryshimet kushtetuese në fuqi në nenin 4 do të shkruajë qytetar i Republikës së Maqedonisë Veriore, por shtoi se Qeveria nuk është në mundësi ta pranojë amandamentin e tij sepse me të do të ndërhynte në Marrëveshjen e Prespës.