SHBA-të e mbështesin marrëveshjen e Prespës dhe i urojnë udhëheqësisë greke për arritjen e kësaj marrëveshje, ka theksuar Sekretari Shtetëror i SHBA-ve, Mike Pompeo në takimin në Uashington me ministrin alternativ për Punë të Jashtme të Greqisë, Georgios Katrugalos.
Në kumtesën e Departamentit Shtetëror publikuar pas takimit thuhet se Pompeo ka uruar Katrugalosin për daljen e Athinës nga programet për ndihmë financiere dhe ka përsëritur mbështetjen e SHBA-ve për përforcimin ekonomik të Greqisë. Dy bashkëbiseduesit janë pajtuar se Uashingtoni dhe Athina do të vazhdojë të punojnë bashkërisht në promovimin e stabilitetit dhe prosperitet në Ballkan, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Pompeo ka cekur rëndësinë e Greqisë si themel i stabilitetit në rajon dhe ka përshëndetur kontributin grek si bashkëpunëtorë i NATO-s.
Georgios Katrugalos është në Uashington me rastin e mbajtjes së dialogut strategjik mes ShBA-ve dhe Greqisë. Të dy palët, mes tjerash, kanë shqyrtuar investimet e ardhshme në projektet infrastrukturore në Ballkanin Perëndimor, por është biseduar edhe për sfidat e vazhdueshme me emigrantë në Evropë, ku ShBA-të kanë thënë se vazhdojnë të ofrojnë mbështetje rreth asaj.
Ministri alternativ i Punëve të Jashtme të Greqisë dje në Nju Jork kishte takime me ndërmjetësin e Kombeve të Bashkuara në bisedimet për emri, Metju Nimic ku është u përshëndet angazhimi i Athinës dhe Shkupit për kompletimin e suksesshëm të marrëveshjes së Prespës.