Më 10 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të Drejtave të njeriut, hapet CIVIL FEST. Me këtë rast, si dhe me rastin e 19 vjetorit të themelimit, Civili në këtë datë të madhe vendosi t’i ftojë të gjithë anëtarët dhe mbështetësit, bashkëpunëtorët, gazetarët qytetarë, mediat, organizatat joqeveritare, artistët, miqtë, funksionarë dhe (kundër) funksionarë, në aheng, në KQR, nga ora 17 deri ora 21.
Civili i fton të gjithë të përmendurit dhe jo të përmendurit, me respekt dhe sinqeritet për të gjithë, bashkë ta festojmë Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të njeriut dhe 19 vjetorin e ekzistimit të organizatës. Ky mund të bëhet një aheng i shkëlqyer “afterwork” në të cilin do t’i përshëndesim të gjitha sukseset tona të përbashkëta dhe do të përkujtohemi për të gjithë që ishin, dhe janë me ne gjatë të gjitha këtyre viteve të luftës për të drejtat dhe liritë e njeriut.
Mijëra njerëz ishin dhe ende janë të kyçur në aktivitetet e Civilit në tërë vendin. Civili ka vazhduar të jetë i denjë dhe këmbëngulës në angazhimet për të drejtat dhe liritë e njeriut edhe në momentet më të vështira për shoqërinë tonë, në vite konflikti, dhune dhe tensionesh, në vite sundimi autokrat dhe kriminel dhe në vite të transformimit. Gjatë të gjitha këtyre viteve, Civili krijonte hapësirë për shprehje dhe dialog të lirë. Mijëra qytetarë të vetëdijshëm e mbështesin dhe e shprehin besimin ndaj Civilit, gjë që shihet përmes mesazheve të shumta dhe prezencës në ngjarjet publike të organizatës.
Të gjitha dallimet i bashkuam në një CIVIL të madh, shumëngjyrësh dhe të fuqishëm. Ishim, dhe do të mbetemi në radhët e para në luftën për shoqëri të lirë, demokratike dhe të drejtë. Asnjëherë nuk heqim dorë! Ishim dhe do të jemi CIVIL, përgjithmonë.