Salla e mbushur deri në fund, me përfaqësues nga opinioni vendor dhe ndërkombëtar në konferencën e sotme “Për shoqëri të çliruar nga korrupsioni”, në organizimtë CIVIL – Qendrës për Liri në bashkëpunim me “Zelena Llupa”.
https://www.facebook.com/civil.mk/videos/209901323255307/?t=40
Konferencën e hapi presidenti i Civilit, Xhabir Deralla, i cili theksoi se kjo konferencë është e para në vargun e aktiviteteve me të cilat Civili e fillon luftën kundër korrupsionit si një nga problemet më të mëdha në shoqëri.
Deralla pastaj e paralajmëroi kryeministrin e Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaevin.
“Sot nuk do të flas dhe nuk do të shpjegoj e sa korrupsioni na i ha dhe helmon shoqërinë dhe sistemin, por do t’i theksoj proceset kundër korrupsionit në shtet me të cilat i kundërshtojmë kësaj plage të përbashkët shoqërore. Në drejtim të vendosjes së gjyqësisë së pavarur, të paanshme dhe efikase, të bazuar në standarde evropiane dhe praktikat më të mira, kemi nisur aktivitete për rikonstruimin e kornizës ligjore me qëllim të sigurohen procedura të cilat do ta forcojnë pavarësinë, transparencën dhe llogaridhënien e gjyqësisë. Vëmendje të barabartë, në gamën e gjerë të rregulloreve ligjore, të cilat janë në fazë përfundimtare, i kushtuam edhe njohjes dhe sanksionimit të sjelljes joprofesionale dhe të anshme të pushtetit juridik. Në këtë proces vazhdimisht e kemi parasysh edhe rëndësinë e madhe të funksionimit të drejtë të sistemit gjyqësor dhe luftës efikase kundër korrupsionit, por edhe respektimin e të drejtave të njeriut. Në ligj dhe në praktikë”, theksoi kryeministri Zoran Zaev.
Zaevi përkujtoi edhe për miratimin e propozim ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe ndeshjen e interesave, në të cilin rregullohen edhe aktivitetet për parandalimin e korrupsionit, por edhe masat dhe aktivitetet për parandalimin e ndeshjes së interesave për të cilat është kompetent KSHPK në të cilin janë të adresuara rekomandimet e Komisionit Evropian, raporti i Pribe dhe raporti i GREKO, të cilat kanë të bëjnë me kornizën ligjore dhe në punimin e të cilës ishin të përfshirë ekspertë, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe të institucioneve.
“Me këtë ligj, fillohet procedurë transparente për zgjedhjen dhe emërimin e presidentit dhe anëtarëve të Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, në të cilin përfaqësues të organizatave qytetare dhe shoqatat e gazetarëve mund të parashtrojnë pyetje. Intervista do të jetë publike dhe do të transmetohet në TV Kanalin e Kuvendit”, tha Zaevi.
Sa u përket përcaktimeve që i përmban kjo zgjidhje ligjore, kryeministri Zaev tha se propozohet forcim i kompetencave të KSHPK në kontrollin e financimit të partive politike dhe financimin e fushatave zgjedhore, propozohet të vërtetohet se dorëzimi i të dhënave të kërkuara nuk paraqet lëndimin e fshehtësisë bankare, vërtetimin e detyrës për personin përgjegjës në institucionin përkatës ose personit të autorizuar, t’i merr të gjitha masat dhe aktivitetet për dorëzimin e informatave të kërkuara te KSHPK si dhe vërtetimin e mundësisë që KSHPK të kërkojë informata dhe të dhëna nga institucionet përkatëse, personave fizikë dhe juridikë, për shkak të verifikimit të gjendjes faktike, duke e përfshirë edhe qasjen deri te 17 baza të të dhënave.
Në aspektin e aktiviteteve të deritanishme të cilat zbatohen, kryeministri tha se ekzistojnë rezultate të dukshme nga implementimi i konceptit për Qeveri të hapur dhe transparente, gjegjësisht “Sipas indeksit të transparencës, Qeveria e Republikës së Maqedonisë si trup qendror ekzekutiv është në vendin e parë në rajon, me 76% plotësim të indikatorëve”, ka verifikuar hulumtimi për “Transparencë e institucioneve të pushtetit ekzekutiv në Evropën juglindore dhe në Maqedoni”.
“Kemi vendosur mekanizëm për llogaridhënie për shpenzimet e bartësve të funksioneve publike. Opinioni ka qasje në shpenzimet e funksionarëve. Tani kryeministri dhe ministrat bëjnë tre herë më pak shpenzime për aktivitete jo produktive. E ndryshojmë perceptimin në opinion në drejtim se ekziston vullnet politik dhe gatishmëri e Qeverisë për trajtimin e korrupsionit në Maqedoni. Këtë e treguam në më tepër raste kur në opinion i ngritën dyshime për ndeshje të interesave ose punës së papërgjegjshme. Kemi ditur edhe të tërhiqemi, kemi ditur ta dëgjojmë klithjen e opinionit, por është e ndershme të themi se në 12 muajt e fundit kemi kursyer mbi 100 milionë denarë vetëm për shkak të transparencës së veprimeve gjatë prokurimeve publike”, tha kryeministri Zaev në adresimin e tij dhe si aktivitete konkrete të cilat Qeveria i ndërmerr në këtë drejtim i tregoi shkarkimin e ish drejtorit të Agjencisë për turizëm me arsyetim për punë të papërgjegjshme dhe pakujdesisë, shkarkimin e drejtorit të Byrosë për siguri publike, automobili zyrtar i të cilit ishte vërejtur në shtet të huaj.
“Qeveria ka burgosur kryetar komune nga radhët e veta kur kishte dëshmi të plota për krim. Pasi u paraqit dyshim për transparencën dhe kredibilitetin e valës së parë të investimeve të Fondit për inovacione dhe zhvillim teknologjik, u vendos protokolli për veprimin gjatë vlerësimit të rrezikut për kompanitë aplikuese nga aspekti i lidhshmërisë me bartës të funksioneve publike dhe ndikimin e tyre dhe të gjithë u tërhoqën nga aspekti etik. Partitë politike e rritën financimin shtetëror që të mos jenë edhe më tutje të varur nga biznesmenët të cilët u ndihmojnë gjatë funksionimit të tyre të rregullt ose gjatë fushatave, e pastaj u kërkojnë shërbime të caktuara të cilat shpesh janë korruptuese”, theksoi kryeministri.
Në fund të adresimit të tij kryeministri Zaev i vërtetoi pozitat e Qeverisë për gjyqësi dhe prokurori të pavarur në luftën kundër korrupsionit.
Rozeta Trajan, sekretarja e përgjithshme e Sekretariatit të Komisionit Shtetëror për parandalimin e korrupsionit fjalimin e saj e filloi me citimin e Bajronit: “Lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm sjellje e mirë, ajo është edhe vetëmbrojtje dhe patriotizëm”.
“Ekziston detyrë e madhe patriotike e secilit veprues në shoqëri, për luftën kundër korrupsionit, por edhe të jep kontribut aktiv në luftën kundër korrupsionit. Sepse korrupsioni është ai që e zvogëlon besimin e qytetarëve në shoqëri, e mbyt kreativitetin, nuk vlerësohet talenti i më të aftëve dhe i rrënon vlerat. Vetëm një shoqëri e çliruar nga korrupsioni mund të jetë shoqëri e fokusuar drejt progresit, përparimit, zhvillimit prosperitetit. Për shkak të gjithë kësaj, krijimi i shoqërisë së liruar nga korrupsioni duhet të jetë prioritet dhe imperativ. Sfidë me të cilën duhet seriozisht të ballafaqohemi dhe të punojmë me përkushtim”, theksoi Trajan.
Trajan theksoi se ngjarja e djeshme është vërtetim se është më se e nevojshme qasje serioze në luftën kundër korrupsionit, duke shtuar se KSHPK në periudhën e kaluar ka qenë vetëm një mbikëqyrës memec i të gjitha ngjarjeve në shoqëri, gjendje e cila para së gjithash ka të bëjë me jo efikasitetin e tij, jotransparencën dhe partizimin.
Profesoresha Mirjana Najçevska theksoi se nuk do të flet për Ligjin, as për të vjetrin, as për të riun, sepse vlerëson duhet të ketë moratorium të ndryshimeve të ligjeve.
“Ne lodhemi në sjelljen e ligjeve të reja, e nuk arrijmë ti zbatojmë as ato që i kemi. Shpesh ligjet i kemi të mira dhe lejojnë kornizë të gjerë për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballemi. Por, ne me këmbëngulje sërish dhe sërish sjellim ligje të reja”, theksoi Najçevska, duke shtuar se e konsideron veten si njeri që mendon se korrupsioni nuk mund të çrrënjoset.
“Nuk mund ta çlirojmë shoqërinë nga korrupsioni, mund ta ulim dhe ta kufizojmë, por nuk mendoj se qytetarët janë të obliguar të luftojnë kundër korrupsionit. Kjo është detyrë e strukturës qeverisëse, të luftojë kindër korrupsionit, nëse me të vërtetë e dëshiron këtë. Të fuqishmit i korruptojnë qytetarët, e jo e kundërta!”, tha Najçevska.
“Shpesh herë nuk e njohim korrupsionin, i cili si sjellje korruptuese nuk është vetë dhënia ose marrja e ryshfetit, por me dhënie të lejeve, me mundësimin e krimit, shkaktohen pasoja serioze për gjithë komunitetin…Për shkak të sjelljes korruptuese e frymojmë këtë ajër të ndotur”, theksoi Najçevska, adresimi i së cilës u shoqërua me duartrokitje nga të pranishmit.
Vane Cvetanov nga Zelena Llupa, theksoi se korrupsioni është temë e rëndë e cila është kancer i çdo shoqërie.
“Obligimi i secilit nga ne është ta luftojmë. Që të ekzistojë korrupsioni, ekzistojnë motive. Ato shpesh janë mospasja siguri në të ardhmen si arsye numër një, frikë nga represioni politik…Scili duhet ta pranojë përgjegjësinë dhe barrën që e mban mbi shpinë”, thotë Cvetanov.
Cvetanov theksoi se është e nevojshme që çdo institucion në secilin nivel të tregojë ndryshime, më tej, vetë iniciativë të organeve të përndjekjes, shkallë më e lartë e përgjegjësisë te trupat e pavarur, forcim i sistemit në pjesën për masën e sekuestrimit.
Presidenti i Civilit, Xhabir Deralla në adresimin e tij i përfshiu të drejtat dhe liritë e njeriut dhe shkeljen e tyre në lidhshmëri me një nga dukuritë më negative shoqërore – korrupsionin.
“Nëse shohim se ku fillon një proces korruptues, mund të tërheqim një vijë dhe të shohim se ku fillon, dhe këto janë zgjedhjet. Në proceset zgjedhore shohim se si do të zhvillohet jeta e qytetarëve deri në zgjedhjet tjera. Atëherë shihet i tërë mjerimi i shoqërisë. Këtu qëndron thelbi i probelemeve në shoqërinë tonë”, theksoi Deralla.
Ai insiston se ekziston hapësirë e madhe për ndërhyrje në Kodin Zgjedhor, por se ende mungojnë paragrafë që kanë të bëjnë me atë se kush, sa dhe në cilën mënyrë përgjigjet për zbatimin e keq të Kodit Zgjedhor dhe për kidnapimin e proceseve zgjedhore.
“Partizimi nuk u ndalua vetëm në sistemin, por partitë politike e okupuan edhe shoqërinë dhe hapësirën për organizim qytetar. Në këtë bashkim të institucioneve të korruptuara dhe të partizuara, shoqëria varet nga rrethe të vogla të fuqive, dhe krijohet kulturë politike në të cilën kultivohen dhe inkurajohen krimi dhe korrupsioni”, tha Deralla.
Pjesa e dytë e konferencës u zhvillua me pyetje, komente dhe qëndrime të mysafirëve prezentë.
Xhevdet Hajredini, ministër i mëparshëm për financa dhe ekspert për financa drejtoi kritika të fuqishme ndaj pushtetit të tanishëm dhe kryeministrit Zoran Zaev.
“Është gabim famëkeq, z. Zaev, t’i paguani votuesit e partnerit tuaj të koalicionit BDI, me para nga buxheti shtetëror!”, tha Hajredini.
Pavle Trajanov, kryetari i Bashkimit Demokratik foli për përvojën e tij nga viti 1994 dhe shkarkimi nga pozicioni pas tentimit të trajtimit të korrupsionit në MPB, por theksoi se edhe sot, pas 11 vite të sundimit të VMRO-DPMNE, Maqedonia është shtet i kriminalizuar, nga i cili janë bartur miliarda euro.
“Në Maqedoni shumë më tepër krim kanë zbuluar gazetarët hulumtues dhe hetimet e PSP, e para së gjithash, MPB është institucion i cili duhet të luftojë kundër korrupsionit dhe krimit. Nuk mund ta kuptoj se si deri tani MPB nuk i zbuloi organizatorët e ngjarjeve të 27 prillit, për shembull, por presim që njëfarë Ninxha të na i zbulojë… Në MPB ka disa njerëz që marrin rroga të larta dhe duhet ta luftojnë korrupsionin. Hulumtohet, shkruhen kolumna, por derisa mungon lufta efikase kundër korrupsionit nga institucioni përkatës, vështirë se mund të arrihet rezultat më i rëndësishëm”, tha Trajanov.
Vlladimir Georgievski, nga Sekretariati i KSHPK, u përgjigj në pyetjen – pse korrupsioni paraqitet posaçërisht në vendet në tranzicion?
“Korrupsioni ka sukses aty ku ka mundësi të mëdha që sistemet e dobëta shoqërore të shfrytëzohen për përfitim të caktuar… Ushtrohet presion i fuqishëm mbi njerëzit në administratën publike. Me ligjin e ri, kompetenca e KSHPK është të veprojë me parandalim për gjendje të caktuara, të udhëzojë për gjendje të caktuara, të nxisë dhe t’i inkurajojë orvatjet kundër korrupsionit. Nevojitet pavarësia e komisionit. Kjo është e shënuar edhe në raportet e GREKO. Por me të vërtetë është e vështirë të realizohet front i mirë dhe i gjerë me institucione kaq të dobëta…”, theksoi Georgievski.
Aktivisti Mariglen Demiri deklaroi se punët duhet emëruar me emra të vërtetë. Ai theksoi se i ndan qëndrimet e profesoreshës Najçevska për të cilën vlerëson se duhet të jetë kandidate për presidente e shtetit, dhe theksoi se korrupsioni është e keqja e shoqërisë maqedonase të cilën nuk ka dëshirë të sinqertë ta çrrënjosë.
Petar Bogojevski, anëtar i VMRO-DPMNE dhe një nga iniciatorët për reforma në atë parti, foli për stereotipet e partisë për krimin e tjerëve. Me adresim kritik edhe për veprimin e bashkëpartiakëve të tij në planin individual, Bogojevski megjithatë shpalli optimizëm, se pas 30 vitesh, Maqedonia ende është foshnje, dhe se ka shpresë në luftën kundër korrupsionit.
Gazetari Goran Lefkov në fjalimin e tij e theksoi përgjegjësinë e KSHPK i cili me muaj nuk punon, si dhe të Komisionit shtetëror për qasje të informacioneve të karakterit publik e cila është pa kryesi nga muaji maj dhe në të cilin qëndrojnë 1000 kërkesa të pazgjidhura. “Maqedonia nuk ka trup për marrjen e pronës nga vepra kriminele, në Slloveni u morr pronë prej 320 milionë euro, e në Maqedoni 460. 000 euro!”, theksoi Lefkov.
Ilija Nikollovski, kryetari i Partisë së pensionistëve theksoi se organizatorët e ngjarjes kanë marrë obligim të madh me temën, sepse nuk ka shoqëri plotësisht të lirë nga korrupsioni. Ai propozoi pastrimin e krimit në MPB, sepse për momentin, “nuk ka qelizë pa korrupsion në Maqedoni”.
Marijan Nenov nga No – pasaran, korrupsionin e krahasoi me një bakter.
“Korrupsionin e gjejmë çdo kund, por e vërejmë vetëm kur fillon të na pengojë. Korrupsion ka sepse në gjyqësi u shumuan shumë baktere. Madje edhe pushteti thotë se nuk mund të përzihen në gjyqësi. Na mbetet shpëtimi vetëm në Prokurori”, theksoi Nenov.
“Ju uroj për një hap kaq serioz të flitet publikisht për korrupsionin, ju mbështes plotësisht. Paratë që duhet të jepen për korrupsion, duhet të kalojnë nëpër banka. PSP preku në llogaritë bankare dhe e pamë se korrupsioni u legalizua përmes bankave. Bankat kanë autorizime të veçanta ta realizojnë korrupsionin pa u hyrë në sistem”, theksoi arkitekti Zllatko Todorov.
“Komisioni për luftë kundër korrupsionit nuk u shpërbë për shkak të shpenzimeve të rrugës, përkundrazi Byroja për ekspertizë është institucion i cili nuk përmendet, mirëpo është seriozisht e korruptuar. Luftoni të mos jeni robër!”, përfundoi Todorov.
Konferenca në organizim të CIVILit është në korniza të projektit “Qytetarët për shoqëri të lirë”.
Maja Ivanovska
Fotografia: Biljana Jordanovska
Përpunimi i tekstit: Dijana Tahiri