Jetojmë në vendin ku bora është e bardhë, kurse shpirtrat janë të zi, në vendin ku më shumë rrëshqasin njerëzit se sa rrugët, në vendin ku macja dhe miu bashkohen, kurse politikanët jo, në vendin ku njerëzit hedhin borën në rrugë, kurse komuna e hedh në trotuar; në vendin ku njerëzit më shumë bëjnë bajram me mendjen se me familjen; jetojmë në vendin ku 1 metër dru është 60 euro, kurse 2 metër burrë s`vlen pesë pare…
Jetojmë në vendin ku të mbyt ftohti, krediti dhe çallëmi… jetojmë në vendin ku njerëzit më shpejt ftohen prej politikanëve se prej dimrit, jetojmë në vendin ku të gjithë politikanët fitojnë, kurse populli del i humbur; jetojmë në vendin ku më shpejt i marrim mësysh liderët se sa fëmijët; në vendin ku ngatërrohet Eco Guerrilla me Umberto Eco!
Ku jetojmë? Jetojmë në vendin ku institucionet luajnë ping – pong, kurse politikanët luajnë teze; në vendin ku nxënësit protestojnë, kurse politikanët me fake profile i kritikojnë; në vendin ku grosha është më shtrenjtë se mishi për atë na shkojnë pordhat…
Jetojmë në vendin ku asgjë nuk funksionon, por gjithçka është në rregull, në vendin ku pemët piqen çdo vit, kurse politikanët asnjëherë.