Pas publikimit të megaskandalit të përgjimeve në vitin 2015, shumë media dolën me tituj se Maqedonia për vite të tëra ka jetuar ngjashëm si në shoun televiziv “Big brother” ku të gjitha lëvizjet dhe veprimet e pjesmarësve në këtë spektakëtl inçizohen 24 orë nga kamerat e vendosura brenda shtëpisë ku izolohen ata. Edhe në Maqedoni mijëra qytetarë 24 orë janë inçizuar në të gjitha bisedat e tyre telefonike.
Por, sipas zbulimeve të fundit, po bëhet gjithnjë e më e sigurtë se “Big brother” telefonik ende nuk ka përfunduar në Maqedoni dhe se kjo dukuri nga rregjimi i kaluar ka metastazuar në shumë institucione edhe sot, vetëm se ka ndryshuar formën duke përdorur metoda më moderne dhe më të sofistikuara. Lajmi i parë ishte zbulimi i softverit dhe hardverit për përgjimin e bisedave lokale në Prokurorinë publike që thuhet se janë instaluar pikërisht në periudhën kur mendohej se po bjen rregjimi i kaluar, në fund të vitit 2016, apo gati një vit pasi ishte zbuluar megaskandali i përgjimeve ilegale. Përveç se në prokurori, kryeministri Zoran Zaev në paraqitjen e tij publike tha se një sistem telefonik që mundëson përgjim dhe inçizim të bisedave ishte instauar edhe në gjykatën penale në Shkup. Gjatë paraqitjes publike të shtunën kryeministri Zaev gishtin për përgjegjësi e drejtoi kah ish drejtuesit e gjyqsorit dhe prokurorisë. “E dijmë kush ka udhëhequr atëherë me Prokurorinë Themelore Publike dhe gjykatën de ata do të mbajnë përgjegjësi, s’ka ikje. Nëse hetimi dëshmon se ajo është me dijeninë e tyre, ndërsa ata janë ata që i furnizojnë, nënshkruajnë dhe paguajnë centralet e tilla, secili do të mbajë përgjegjësi. Hetimi do t’i tregojë të gjitha detajet, ajo që për mua është e rëndësishme është të mbahet përgjegjësi nga secili që ka guxuar të instalojë sisteme të tilla të ndjekjes”, deklaroi Zaev të shtunën. Nga Prokuroria publike thanë se kanë hapur hetime për vendosjen e sistemit të tillë, ndërsa shtuan se dyshojnë që ai sistem është vendosur që nga viti 2013. “Procedura parahetimore është hapur menjëherë pas marjes së informatave se bisedat e realizuara telefonike përmes telefonisë fikse në ndërtesën e prokurorisë publike janë rregjistruar. Edhe pse të dhënat e gjetura me biseda të rregjistruara në dy hard diskat e qendrës telefonike datojnë nga 30.09.2016, ekzistojnë indicje që dëshmojnë se inçizimi ka zgjatur nga furnizimi dhe instalimi i aparaturës, gjeqësisht nga vitit 2013. Në atë drejtim kontrollohet edhe nëse bisedat e rregjistruara kanë qenë të fshira ose janë transferuar në pajisje tjetër”, njoftuan nga Prokuroria Publike. Ministrja e drejtësisë, Renata Deskovska, të dielën tha se para ca kohe edhe në ministrinë që ajo drejton është blerë qendër telefonike dhe pas informacioneve që dolën së fundmi në opinion, do t’i drejtohet ministrisë së punëve të brendshme që të shihet se çfarë qendrë telefonike është furnizuar edhe për Ministrinë e drejtësisë. Qendra telefonike në Gjykatën themelore Shkup, ministrja Deskovska konfirmoi se është blerë përmes Ministrisë në vitin 2015-2016 në kohën e udhëheqjes së ministrit Valdet Xhaferi dhe se i gjithë dokumentacioni i këtij furnizimi do tu dorëzohet institucioneve kompetente për hetime të mëtejshme. “Centrali telefonik në Gjykatën themelore në Shkup është blerë përmes Ministrisë së drejtësisë. Duke patur parasyshë se për këtë roces për momentin zhvillohen hetime të gjithë dokumentacionin që është në kuadër të ministrisë së drejtësisë do ta dorrëzoj deri te organet kompetente dhe në përputhje me procedurën hetomore do të shihet se tek kush do të duhet të kërkohet përgjegjësi dhe çfarë lloji i përgjegjësisë do të pasojë”, tha ministrja Renata Deskovska.
– Ministria e ambianeit ka blere aparaturë për përgjim
Edhe Ministria e ambientit e drejtuar nga Sadulla Duraku ka blerë aparaturë telefonike muajin e kaluar, që posedon mundësi për rregjistrim të bisedave. Tenderi që ka kushtuar 1.7 miljon denarë e ka fituar “Telekom” si kompani e cila ka dhënë ofertën më të lirë. Marrëveshja është e lidhur më 06.11.2018, ndërsa centrali ka të instaluar sistem hardverik për rregjistrim dhe përgjim të bisedave telefonike dhe softver të veçantë për kontroll. Hard disku është me kapacitet 90 GB. Pas këtij informacioni, kryeministri Zoran Zaev, tha se teknologjia moderne tani vetë ofron mundësi për rregjistrim dhe përgjim, ndërsa shtoi se drejtuesit e institucioneve janë përgjegjës për atë nëse këto mundësi do të shfrytëzohen dhe si do të shfrytëzohen. Ai tha se personalisht si njeriu i parë i Qeverisë nuk ka lejuar që në objektin qeveritar të vendoset çfarëdoqoftë sistemi që do të shfrytëzohej për përgjim. Zaev u zotua se do të kërkohet përgjegjësi dhe hetime për çdo drejtues institucioni ku do të zbulohen pajisje të tilla. “Teknologjitë moderne ofrojnë çfarë do lloj mundësie, por përgjegjësia bie mbi personin udhëheqës në cilin do qoftë institucion, gjyqësor, prokurori, shtetëror, që të vendos se çka nga ajo do të përdoret. Kemi sisteme të cilat duhet të rregjistrojnë, por vetë shefi i prokurorisë, kryetari i gjykatës, ministri ose kryeministri vendosin se çka nga ajo do të përdoret ose jo. Mënyra e sjelljes së vendimit se ajo do të përdoret, gjeqësisht do të vendoset në inçizim është vepër penale”, tha Zaev.
Arben Zeqiri