Edhe një nëntor me manifestime dhe festa kombëtare, të kidnapuara dhe të monopolizuara nga një grupim dhe disa nëngrupe me ideologji (?) dhe perceptim të komprometuar dhe të shtrembëruar të ndjenjës për përkatësi kombëtare. Dhe, kuptohet, ndjenjës madhështore të patriotizmit.
Sot është Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, ditë e cila në Maqedoni festohet çdo vit, me manifestime të “përshtatshme” nëpër shkollat fillore, të mesme, komuna ku jetojnë Shqiptarë, institucione të ndryshme, dhe, në Manastir.
Manastiri është qyteti në të cilin u mbajt Kongresi i Alfabetit, ose i njohur si Kongresi i Manastirit, në të cilin u formua alfabeti i unifikuar i gjuhës shqipe. Kongresi u mbajt në vitin 1908. Paraprakisht, gjuha shqipe përfaqësohej me disa alfabete. Manastiri është qytet me vendndodhje gjeografike në Maqedoni. Maqedonia është shtet në të cilin jetojnë etni të ndryshme, me përparësi numri të banorëve të etnisë maqedonase, dhe pastaj të etnive tjera, kuptohet, edhe banorët e etnisë shqiptare. Gjuha e qytetarëve shqiptarë të Maqedonisë, edhe pse e flasin dhe e shkruajnë gjuhën shqipe pa pengesa, si e drejtë e njeriut që i takon që nga lindja, edhe pse alfabeti i gjuhës është i formuar pikërisht në Maqedoni, edhe pas 110 vitesh, nuk është zyrtare brenda shtetit në të cilin është formuar alfabeti i pikërisht kësaj gjuhe. Fillimisht, nga tentimi ( me dekada i suksesshëm) i strukturave të ndryshme politike joshqiptare, kuptohet, të ndihmuara nga shqiptarë, për diskriminim, margjinalizimin, asimilimin dhe diskreditimin e kombit dhe gjuhës shqiptare, dhe në dy dekadat e fundit, nga vetë shqiptarët, të pozicionuar në instancat më të larta politike të shtetit, dhe të cilët pretendojnë se janë përfaqësuesit e të gjithë shqiptarëve në Maqedoni. Me siguri se atyre, në vend se t’u kundërshtojnë dhe të marrin ofensivë, u ndihmojnë edhe përfaqësuesit politikë tjerë, të shqiptarëve tjerë në Maqedoni, të vetëquajtur – opozitë, me paaftësinë dhe ngathtësinë e tyre të vazhdueshme në artikulimin e qëllimeve dhe veprimeve të tyre.
Përdhosja me kombin, gjuhën dhe pozitën shoqërore dhe politike të shqiptarëve në Maqedoni, është dukuri për të cilën flitet shumë, dhe veprohet pak, falë lidhshmërisë së ngushtë farefisnore, miqësore ose të interesit, të pothuajse çdo individi, me ndonjë subjekt politik, gjegjësisht, anëtar ose udhëheqës sektori, dege ose nëndege të partisë së gjithëfuqishme dhe përjetësisht në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim. Parti e cila me paraqitjen e saj në skenën politike, ishte shpresë drite për çështjet jetësore të shqiptarëve në Maqedoni, deri në momentin kur partia u shndërrua në perpetuum mobile për interesa individuale dhe të anëtarësisë më të ngushtë. Parti e cila pas çdo “dështimi” të zgjidhjes së problemeve, fshihet pas domethënies së titullit – Integrim. Integrimi, siç dihet, bëhet në vende pjellore për interesat individuale të kreut të partisë, dhe privilegje të lezetshme për “përmbaruesit” e tyre.
Kjo parti gjithashtu fshihet edhe pas Marrëveshjes së famshme të Ohrit, me të cilën Marrëveshje edhe më tepër u diskriminuan shqiptarët, nga vetë shqiptarët, me vendosjen e përqindjes së duhur përfaqësuese institucionale, për punësime, shkollim, etj., duke e ligështuar deri në shkallën më të ulët cilësinë e të menduarit dhe vepruarit intelektual, në përmasa të mëdha popullore. Me këtë Marrëveshje u stimulua përtacia mbarë-popullore, u lehtësua komunikimi i ndërsjellë mes të gjithë të paaftëve dhe u ekskomunikuan të aftët , si subjekte të padëshirueshme dhe të dëmshme për cektësinë kolektive mendore si mënyrë më e lehtë për moslodhjen e trurit, sepse partia mendon, urdhëron dhe nënshtron.
Maskarada e festimeve të nëntorit është edhe një nga format e përdhosjes me simbolet dhe shenjtëritë kombëtare, dhe shërbejnë si mburojë pas të cilës fshihet oportunizmi i momentit, mosinteresimi dhe komoditeti i të qenit vazhdimisht në pushtet, duke mos i përdorur mjetet që i ofron pozita, për interesat e popullit.
Një nga shembujt e shumtë, janë edhe faqet zyrtare të ministrive dhe institucioneve shtetërore. Si ilustrim, faqja zyrtare e Ministrisë së për Punë dhe Politikë Sociale, nuk ka version në gjuhën shqipe. Faqja e Ministrisë për Transport, nuk ka versionin e saj në gjuhë shqipe. Faqja e Ministrisë për Punë të Jashtme, nuk e ka versionin në gjuhë shqipe. Faqja e Ministrisë për Financa, nuk e ka versionin në gjuhën shqipe. Faqja e Ministrisë për Punë të Brendshme, në versionin shqip, nuk është aktive nga 23 gushti i vitit 2018. Faqja e Ministrisë për Shëndetësi, në versionin shqip, nuk është aktive nga 13 dhjetori, 2017. Faqja e Ministrisë për Drejtësi, nuk është aktive nga 12 qershori 2018.
Ndërkohë, shkollat në komunën e Çairit gojarisht quhen me emra të rinj, si dëshmi e patriotizmit të rrënjosur thellë në thelbin e partisë, në Çarshinë e Vjetër të Shkupit u vendos përmendorja e Skënderbeut, si vijë kufitare që e ndan Shkupin dhe si pikë gravitacioni për shqiptarët, duke hequr dorë nga pjesa tjetër të Shkupit, dhe me këtë, edhe nga shqiptarët që jetojnë në pjesët tjera të qytetit. Me ndarjen territoriale, vetëm e lehtësuan mosinteresimin dhe diskriminimin ekonomik, kulturor, infrastrukturor dhe shoqëror të shqiptarëve në “anën” e zgjedhur të Shkupit, në të cilën për çdo nëntor, lirshëm dhe krenarë valojnë flamujt kombëtar, deri te semaforët me të cilat ndahet qyteti.
Çdo nëntor, alfabeti, flamuri, dhe kombi, përjetojnë sakrilegje dhe përdhosje nga të cilat u shndërruan në simbole për përdorim universal, për pastrim sipërfaqësor të llumit thellësor.
Gëzuar dita!