Si askund tjetër ku jetojnë shqiptarë, një orë letrare në Bujanoc vazhdon të jetë një manifest dashurie për atdheun. Të rinjtë recitojnë poezitë e rilindasve e burrat mbajnë radhë për të folur mbi lavdinë e popullit shqiptar ndër shekuj. Pasi ora letrare përfundon, gjindja i kthehen realitetit. Rrugë të pashtruara dhe pa drita, papunësi në nivelin e 60 për qind, arsimim i cunguar dhe mbi të gjitha një rini që tashmë të ardhmen e saj e sheh larg vendlindjes, në Perëndim.
Deklaratat e fundit të presidentit kosovar Hashim Thaçi për një korrigjim të mundshëm kufijsh midis Serbisë dhe Kosovës, i kanë kthyer komunat me popullsi shqiptare në Serbinë jugore në qendër të debatit politik. Por në Bujanoc vendasit ankohen se kjo vëmendje ka munguar nga Tirana dhe Prishtina për sa i përket zgjidhjes së problemeve të mprehta që përballet Lugina e Preshevës – përfshirë mungesën e teksteve shkollore në shqip dhe njohjen e diplomave të universiteteve shqiptare dhe atyre të Kosovës në Serbi. Liderët shqiptarë të Luginës shprehen se premtimet e panumërta të Tiranës zyrtare për hartimin e teksteve shkollore për Luginën nuk janë materializuar, ndërkohë që vëzhguesit e rajonit nënvizojnë se çështja e teksteve arsimore për komunat me popullatë shqiptare në Serbi është keqpërdorur nga Tirana dhe Beogradi.
Komuna e Bujanocit, me 43’302 banorë dhe shtrirë në një sipërfaqe prej 1249 kilometrash katrorë, ndjek rrjedhat e lumit Vardar dhe Moravë dhe është qendra e Luginës së Preshevës. Ky rajon është gjithashtu qendra e komunitetit shqiptar në Serbi, ku popullsi etnike shqiptare luhatet nga 54.6 për qind në Bujanoc, në 89 për qind në Preshevë dhe 26 për qind në Medvegjë, të cilat në total kanë një popullsi të regjistruar prej 111’000 banorësh. Megjithatë, sipas zyrtarëve vendorë gjatë viteve të fundit vetëm nga Bujanoci janë shpërngulur drejt Perëndimit gati 20 mijë banorë, pjesa dërmuese e tyre të rinj. Dëshira për t’u larguar nga Lugina, ndikohet edhe nga mungesa e aksesit në arsim të lartë në Serbi.
Laura Halili ka përfunduar vitin e tretë të gjimnazit «Sezai Surroi» në Bujanoc. Ajo dëshiron të studiojë për financë, por në universitetet serbe e ka të pamundur. «Do të aplikoj në Shqipëri, jo vetëm se shkolla është shqip por është ëndrra ime të studioj në shtetin amë», tha ajo. 17 vjeçarja është e paqartë për të ardhmen e saj, por nuk përjashton mundësinë se mund të largohet nga vendlindja në kërkim të një të ardhme të mirë. «Të gjithë dëshirojnë të ikin jashtë e unë nuk mund të qëndroj këtu. Pse mos me e shfrytëzoj këtë mundësi që të jepet», shprehet ajo.
Të pashpresë në Bujanoc janë edhe ata që kanë një diplomë në xhep. Zhaneta Avdiu ka mbaruar shkollën e mesme për infermieri, ndërsa arsimin e lartë në Prishtinë e ka ndjekur për Gjuhë dhe Letërsi Angleze. Prej dy vitesh është kthyer në luginë dhe është pa punë. Zhaneta tregon se ka bërë një aplikim në Gjermani, duke shfrytëzuar njohuritë e shkollës së mesme për infermierinë. «Këtu nuk ke asnjë mundësi pune. Të gjithë duan të ikin në Gjermani, sidomos ata që kanë studiuar infermieri dhe mjeksi. Unë do të aplikoj dhe do iki atje», tregon kjo vajzë. Nëse nuk do të kishte një punë Zhaneta shprehet se nuk do të ikte nga Bujanoci, por ajo thotë se fatet e tyre i vendos politika.
«Problem kam vetëm të kem një punë. Gjithçka këtu është e lidhur me politikën, nëse ke të njohur të fusin në punë, nëse nuk ke këtu mbetesh rrugëve», shpjegoi ajo. Drejtori i shkollës së mesme në Bujanoc, Zejni Fejzullahu, tha se largimi masiv i njerëzve po sjell vdekjen e qytetit. «Qytetarët e Bujanocit po largohen edhe pse është një vend i shkëlqyer ku kalon korridori i 10-të. Mirëpo fatkeqësisht për momentin nuk ka një perspektivë», tha ai. «Shumica sapo përfundojnë gjimnazin ikin në mërgim, e kjo po i sjell vdekjen qytetit», thotë drejtori i shkollës.
Kreu i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, largimin e të rinjve e shpjegon me politikën e mbrapshtë ekonomike të qeverisë serbe. «Nuk dihet se çfarë do të bëhet me Luginën e Preshevës, ka mbetur pezull. Kemi disa kapacitete që mund të ngjallin zhvillimin e vendit si banjat e Bujanocit, prodhimin e lëngjeve minerale, fabrikën e përpunimit të duhanit, por që janë shtetërore e nuk i privatizojnë», tha Kamberi. «Kapacitetet ekonomike të zonës janë në duart të qeverisë, e jo të komunës dhe pse angazhimi ynë është se të ruanim të rinjtë, ata të rrinin në vend», shtoi ai. Sipas Kamberit një tjetër shtysë për emigrimin e të rinjve mbetet ngërçi për njohjen e diplomave universitare shqiptare në Serbi. «Çështjen e pazgjidhur të diplomës nuk e zgjidh komuna, por kjo është çështje ndërshtetërore», shfajësohet Kamberi.
Përgjatë 11 viteve të shkollimit të saj, Laura Halili ka mësuar se mbretëresha e ilirëve ishte Teuta dhe se pavarësinë Shqipëria e fitoi në vitin 1912, por nuk është thelluar për sa i përket historisë, kulturës, muzikës apo dhe etnografisë së shqiptarëve në Ballkan, për arsye se lënda e historisë shqiptare nuk ekziston në kurrikulat e shkollës në Bujanoc. «Kur në programin shkollor kishim përsëritje, profesori na fliste historinë e shqiptarëve», kujton Laura. Sipas drejtorit të shkollës së mesme Zejni Fejzullahu ligjërisht Luginës së Preshevës i njihet e drejta që në programin arsimor të këtë 30 për qind të kurrikulave për historinë, kulturë figurative, kulturën muzikore, natyrën dhe shoqërinë etnike.
Sistemi arsimor në Luginën e Preshevës, një rajon i përbërë nga komunat e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës është në gjuhën shqipe, por ajo që nxënësit mësojnë mbi prejardhjen e tyre etnike nuk zë as dy për qind të kurrikulave arsimore. «Na duhet një ndihmë për t’i shkruar këto tekste, mirëpo fatkeqësisht deri më sot kjo ndihmë nuk ka ardhur, as nga Kosova e as nga Shqipëria», tha Fejzullahu. Në cilësinë e ish-kryetarit të Këshillit Nacional për Pakicat në Serbi, Fejzullahu thotë se kërkesat për hartimin e teksteve shkollore i janë dërguar qeverisë shqiptare që në vitin 2013. «Kemi kërkuar ndihmë, me shkresa zyrtare, me emaile, përmes takimeve që kemi pasur si Këshill Nacional. Përgjigja është që do të na ndihmojnë, mirëpo që nga viti 2013 e deri më sot nuk kemi asnjë zgjidhje. Në vazhdimësi kemi vetëm premtime por ndoshta një ditë do të realizohet», shpjegoi Fejzullahu.
Sistemi juridik i Serbisë pranon mundësinë për importin e teksteve mësimore në gjuhën e pakicave, por nga viti 2007 në Luginën e Preshevës është ndaluar përdorimi i teksteve nga Kosova, thuhet në një raport të implementimit të marrëveshjeve ndërqeveritare për Luginën e Preshevës. Kryeministri Edi Rama edhe gjatë vizitës së tij në këtë rajon në tetor të vitit 2016 – ku ai shpalli një kapitull të ri në marrëdhëniet me shqiptarët në Luginën e Preshevës – premtoi zgjidhjen e çështjes së teksteve. Megjithatë, pas interesimit të BIRN ministria së Arsimit, Sportit dhe Rinisë tha se nuk ka një marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe asaj serbe sa i përket çështjes së teksteve shqipe. «Një marrëveshje e tillë, që adreson në mënyrë më të plotë nevojat për arsimin në gjuhën shqipe në Serbi, do të diskutohet nga grupe teknike të themeluara në ministritë përkatëse të arsimit në Shqipëri dhe Serbi», tha ministria në një përgjigje me shkrim. «Rrjedhimisht edhe tekstet shkollore do të prodhohen pas konkludimit të marrëveshjes mes dy vendeve», shtoi ajo.
Për gazetarin Ben Andoni, analist i çështjeve rajonale në shtypin e shkruar, problemi me arsimin në Luginën e Preshevës vjen nga statusi «i papërcaktuar» i këtij rajoni. «Lugina ‘de jure’ është pjesë e Serbisë dhe minoriteti shqiptar mes vetes njeh si vend amë Kosovën. Ndërkohë, Kosova nuk njihet nga Serbia dhe të themi se ajo ia delegon këtë lidhje Tiranës zyrtare. Ndaj, për çdo gjë që flitet për të drejtat e Luginës jashtë Serbisë, lidhet me Tiranën», tha ai. «Kjo bën që në çdo takim të nivelit të lartë shqiptaro-serb të dekadës së fundit, Presheva dhe Bujanoci janë përdorur qoftë nga zyrtarët më të lartë respektivë si Rama edhe Vuçiq, por edhe nga zyrtarët më të vegjël, që bëjnë vizita kortezie», shtoi Andoni.
Andoni thotë se nuk ka një vullnet mes qeverive, asaj të Tiranës dhe të Beogradit për çështjen e teksteve shqipe ndaj zgjidhja ende duket e largët. «Mënyra sesi nuk i jepet drejtim ngërçit me Serbinë dhe mungesa e vullnetit të përbashkët të qeverive në Tiranë dhe Beograd, shtuar me konfuzionin e përhershëm të faktorit shqiptar të Luginës, tregojnë se problemi i teksteve do të mbartet dhe në të ardhmen», përfundoi ai.
Nga Lindita Çela, burimi: DialogPlus