Pothuajse të gjitha vendet e rajonit, edhe pse pjesërisht, kanë dalë me informacione zyrtare për mënyrën e kalimit të pikave kufitare nga ish kryeministri Nikolla Gruevski. Vetëm Hungaria dhe Maqedonia ende nuk kanë zbuluar ende asnjë informatë. Duke u bazuar në të dhënat zyrtare dhe ato jo zyrtare nga burimet policore të vendeve fqinje, drejt.mk dhe Civil Media kanë bërë një projeksion të hartës së rrugëtimit të Gruevskit, të cilën në mënyrë vizuale mund ta shihni në hartat më poshtë, si dhe kalimet potenciale kufitare nëpër të cilat ai mund të ketë kaluar. Ajo që po bëhet gjithnjë e më sigurt, është se Gruevskit në këtë rrugëtim i kanë ndihmuar dy elemente të rëndësishme, posedimi i letërnjoftimit të Maqedonisë të cilin nuk ia ka konfiskuar gjykata dhe veturat diplomatike të ambasadave të Hungarisë në vendet e rajonit. Departamenti i Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit të Republikës së Shqipërisë ka dhënë versionin zyrtar se si ish kryeministri i Maqedonisë ka dalë nga Shqipëria drejt Malit të Zi, por nuk jep të dhëna për mënyrën se si ka hyrë ai në territorin shqiptar. “Shtetasi Nikola Gruevski më datë 11.11.2018, rreth orës ora 19:11, ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit në drejtim të Malit të Zi, si pasagjer në automjetin me targë CD1013A, në pronësi të Ambasadës Hungareze në Tiranë”, thuhet në njoftimin e policisë shqiptare.
Sipas sqarimit zyrtar të Shqipërisë mësohet se Gruevski ka kaluar lirshëm kufirin shqiptarë falë faktit që me datën 11.11.2018 për të nuk ka pasur asnjë njoftim në kufi apo shpallje si person në kërkim. Interpol Shkupi – Interpol Tiranës njoftimin për shpallje në kërkim ndërkombëtar për këtë shtetas ia ka dërguar dy ditë më vonë, në datë 13.11.2018, rreth orës 19.35. Në një njoftim zyrtar të lëshuar nga policia e Malit të Zi , thuhet se ish kryeministri maqedonas ka hyrë në shtetin e tyre më 11 nëntor përmes kalimit kufitar Bozhaj që përputhet me informacionin e Shqipërisë për largimin nga ky vend. Dojçe Vele në gjuhën maqedonase ka siguruar informata nga një burim në policinë e Malit të Zi i cili ka dëshiruar të ngelet anonim i cili ka njoftuar se në territorin e tyre Gruevski ka hyrë më 11.11.2018 në ora 19:10 minuta dhe se aty e kanë pritur dy zyrtarë të ambasadës hungareze në Podgoricë. “Me veturë Volkswagen Xheta ai është dërguar drejt Podgoricës. Atje tanimë e ka pritur zëvendës ambasadori bashkë me një person me të cilët ka hyrë në një automjet tjetër dhe janë drejtuar drejt kalimit kufitar Dobrakovo.
Atje kanë arritur rreth orës 22. Kanë hyrë në Serbi dhe atje ua kanë dorëzuar Gruevskin diplomatëve të tjerë hungarez me qëllim për të arritur në Beograd”, njofton Dojçe Vele. Sipas këtyre informatave të siguruara nga burim policor, takimi i Gruevskit me diplomatët serb është bërë në motelin Luks në hyrje të Prijepoles. Edhe gjatë hyrjes në Sërbi, ashtu si edhe në Mal të Zi, Gruevski ka përdorur letërnjoftimin e tij lirshëm sepse deri në atë moment ndaj tij nuk ishte lëshuar fletë arrest ndërkombëtar nga MPB e Maqedonisë. Por ajo që mbetet mister janë dy pjesë të rrugëtimit të Gruevskit, nga Shkupi deri në Shqipëri dhe më as nga Sërbia drejt Hungarisë.
Maqedoni-Shqipëri me 4 kalime kufitare
Republika e Maqedonisë dhe Republika e Shqipërisë kanë katër kalime kufitare, potenciale, nëpër të cilat Nikolla Gruevski ka mundur të kalojë legalisht. Kalimi i parë kufitarë është ai i Blatës në Dibër, i dyti në Qafë Тhanë të Strugës, kalimi i Tretë në Shën Naum të Ohrit dhe kalimi i katërt është në Stenje të Prespës. Të katër kalimet kufitare çojnë drejt Tiranës dhe më pas drejt kufirit Hani i Hotit që lidh Shqipërinë me Malin e Zi. As Shqipëria dhe as Maqedonia nuk kanë njoftuar se cilin kalim e ka shfrytëzuar Gruevski nëse legalisht ka hyrë në shtetin shqiptar, për çka ekzistojnë dyshime për mundësi ligjore. Verzioni tjetër mbetet që Gruevski në territorin shqiptarë të ketë hyrë përmes rrugëve ilegale.
– Serbi – Hungari me 6 kalimet kufitare
Republika e Serbisë dhe Hungaria kanë gjithsej 6 kalime të përbashkëta kufitare, por në tre prej tyre mësohet se mund të kalojnë vetëm shtetasit e Sërbisë, Hungarisë dhe ato të vendeve anëtare të BE-së.
- Baçki Breg (SRB)- Hercegsanto (HU)
- Baçki Vinogradi (SRB) – Asotthalom (HU)
Ky kalim kufitar dedikohet vetëm për automobila dhe shtetas të Sërbisë, Hungarisë dhe BE-së
- Bajmok (SRB) – Baçalmash (HU)
Ky kalim kufitar dedikohet vetëm për automobila dhe shtetas të Sërbisë, Hungarisë dhe BE-së
- Xhala (SRB) – Tisaziget (HU)
Ky kalim kufitar dedikohet vetëm për automobila dhe shtetas të Sërbisë, Hungarisë dhe BE-së
- Horgosh (SRB) – Roszke (HU)
- Graniçni prelaz Kelebija (SRB) – Tompa (HU)
Letërnjoftimi dhe mos lëshimi i fletë arrestit lehtësim për Gruevskin
Posedimi i letërnjoftimit dhe mos lëshimi i fletë arrestit kombëtar dhe ndërkombëtar i kanë lehtësuar rrugëtimin ish kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski drejt Budapestit ku ai tanimë ka kërkuar azil politik. Gjykata gjatë procesit gjyqësor i ka konfiskuar atij pasaportën personale dhe atë diplomatike, por jo edhe letërnjoftimin. Ndërkohë Maqedonia, jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me vendet e tjera të rajonit ka të nënshkruar dhe zbaton qarkullimin e lirë të shtetasve vetëm me letërnjoftim. Sipas informatave zyrtare të Shqipërisë dhe Malit të Zi, Gruevski ka hyrë e dalë nga këto dy shtete lirshëm edhe falë mungesës së fletë arrestit ndërkombëtar. Moslëshimi i fletarrestit kombëtar dhe posedimi i letërnjoftimit, le hapsirë për të dyshuar se Gruevski falë neglizhencës së institucioneve kompetente, lirshëm mund edhe të ketë dalë nga Maqedonia me letër njoftim dhe të ketë hyrë nga Mali i Zi në Sërbi në të njëjtën mënyrë. Nga 9 nëntori deri më 12 nëntor pasdite Gruevski ka pasur kohë të mjaftueshme për të qarkulluar, pasi MPB nuk kishte lëshuar asnjë fletë arrest dhe priste që Gruevski vetë të paraqitet në burgun e Shutkës. Më 12 nëntor pas orarit të punës, kur Gjykata nuk arriti të sigurojë prezencën e tij në burg, atëherë këta të fundit e shpallën në kërkim, ndërsa MPB lëshoi fletë arrest kombëtar. Një ditë më vonë, më 13 nëntor kur dhe Gruevski personalisht njoftoi për ikjen e tij në Hungari, MPB e Maqedonisë lëshuan fletë arrest ndërkombëtar për ish kryeministrin Nikolla Gruevski i cili është shpallur fajtor në rastin e PSP-së “Tanku” dhe është dënuar me 2 vite burg për.
Arben Zeqiri