Rasti skandaloz me helmimin e qenve në Tetovë nuk i ka interesuar për të zbuluar autorët e këtij krimi, aq më pak institucioneve kompetente.
Asnjë qytetarë dhe as autoritetet lokale në këtë qytet nuk kanë bërë asnjë denoncim në polici dhe as nuk ka kërkuar përgjegjësi për këtë rast që përveç vrasjes së qenve ka rrezikuar edhe jetërat dhe shëndetin e qytetarëve. Këtë e kanë konfirmuar për drejt.mk dhe CIVIL Media nga policia e Tetovës, prej ku premtuan se hetimet do të fillojnë pas interesimit tonë dhe informimit që bëmë zyrën për marëdhënie me opinionin. Zëdhënësi i SPB-Tetovë, Marjan Josifovski tha për redaksinë tonë të enjten se askush nuk ka informuar deri në mëngjesin e kësaj dite për ngordhjen e qenve në rrugët e qytetit. Por, pas pyetjes tonë, Josifovski tha se policia e Tetovës do të angazhohet në hetimin dhe zbardhjen e plotë të rastit. Përgjigje kërkuan edhe nga Komuna e Tetovës, por atje na thanë se nuk janë kompetent për këtë temë. Ndërmarrja Publike Komunale – Tetovë vetëm ka informuar opinionin vendor se pas denoncimit të marrë nga qytetarët e Tetovës, ekipet e tyre i kishin ngritur trupat e qenve të vrarë dhe i kishin varrosur në lokacion adekuat, sipas rregullave. Prej atje theksuan se në muajin e kaluar kanë ngrit katër trupa, përsëri pas denoncimit të qytetarëve se në një vend të caktuar ka qen të ngordhur. Të vetmit që reaguan për këtë masakër masive me helmimin e qenve që po zhvillohet ditët e fundit në qytetin e Tetovës, janë Shoqata për mbrojtjen e kafshëve “Anima Mundi” dhe shoqata ambientaliste “Eco Guerilla” nga Tetova. Nga shoqata “Anima Mundi” të enjten akuzuan se në Tetovë ishte kryer pastrim rutinë i qenve të qytetit. Sipas informacioneve të tyre, qentë ishin helmuar pasi që para disa ditëve ishin paraqitur video-incizime në të cilat grupe të qenve kishin shëtitur në qendër të Tetovës. “Askush nuk ishte fajtor dhe nuk jep përgjegjësi që aq qen endacakë ka në rrugë. Askush nuk është fajtor dhe nuk do të përgjigjet se ka përdorur helm i cili për pesë minuta mund të mbys një person të rritur, e lëre më një fëmijë. Askush nuk është fajtor dhe nuk do të mbajë përgjegjësinë se i ka hedhur në rrugë, sipas gjitha gjasave të ngarkuar nëpër furgone, të transferuar nga një komunë në tjetër. Askush nuk është fajtor dhe nuk mban përgjegjësinë që udhëhiqet ajkë ndaj kafshëve – vetëm ata janë fajtor që janë gjallë në Republikën e Maqedonisë”, thuhet në kumtesën e “Anima Mundi”. Shoqata ambientaliste “Eco Guerilla” në reagimin e tyre zyrtarë kanë thënë se megjithëse qyteti është i vërshuar nga një numër i madh i qenve endacakë, helmimi i tyre (nga kushdo qoftë që të jetë bërë) është mizerje e papranueshme. “Në bazë të LIGJIT PËR VEPRIMTARI KOMUNALE, Neni 5, Pika 15 – Komunat kanë për obligim grumbullimin dhe strehimin e kafshëve (qenve) të pastreha (endacakë), dhe në bazë të LIGJIT PËR MBROJTJEN DHE MIRËQENIEN E KAFSHËVE, Neni 25, Pika 1 dhe 2, grumbullimi dhe transporti i kafshëve (qenve) endacakë duhet bërë në mënyrë që ato (kafshët) mos dëmtohen fizikisht apo mos rrezikohet jeta dhe shëndeti i tyre”, thuhet në reagimin e “Eco Guerilla”. Nga kjo shoqata i kanë bërë apel komunës që të përshpejtojë procedurat për ndërtimin e strehimoreve për kafshët endacake dhe të njëjtat t’i largojë nga rrugët dhe lagjet e qytetit dhe vendbanimeve, sipas ligjit dhe rregullave të pranueshme dhe të praktikuara edhe në vendet tjera të Evropës. Ndryshe, Këshilli i Komunës së Tetovës në seancën e mbajtur muajin e kaluar solli vendim për zgjidhjen e problemit me qentë endacakë. Me këtë vendim parashihet që qentë endacak të qytetit do të trajtohen në mënyrë adekuate sipas procedurave të ndryshme dhe do të strehohen në një stacionar në rrugën “Gostivari”, në objekt te selia e “Higjienës Komunale”. Sipas këtij programi, brenda muajit do të kapen 20 qenë për çka do të ndahen 500 mijë denarë, para nga buxheti i komunës së Tetovës. Por ky program është paraparë që të fillojë nga 1 dhjetori i këtij viti.
Arben Zeqiri