Partitë shqiptare kanë dalë me qëndrime të kundërta nga ato të drejtorit të Entit Shtetëror për Statistikë lidhur me propozimin për rregjistrimin e popullsisë pa grafën e etnisë dhe përcaktimit fetar. Deputeti dhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, thotë se ky propozim ka për qëllim të godasë formën e funksionimit të shtetit dhe balansin mes bashkësive etnike në vend. “Këto tendenca fshehin brenda vetes edhe qëllime tjera të cilat kanë për qëllim të godasin mbi balancet etnike dhe mbi formën se si duhet organizuar dhe si duhet të funksionojë Maqedonia. Natyrisht se paralajmërimet që në grafën e regjistrimit do të ekzistojë vetëm gjuha, ka për qëllim që në mënyrë artificiale të rritet numri i popullsisë e cila flet në gjuhën maqedonase në mënyrë që të fshihet realiteti demografik të cilën e ka Maqedonia. Vetëm paralajmërojmë se në si ASH, i bëjmë thirrje dhe subjekteve tjera shqiptare të cilat janë pjesë e qeverisë që të kundërshtojnë këtë propozim të entit për statistika”, tha Sela. Deputeti i BDI-së, Artan Grubi nuk ishte i qartë nëse do të mbështesin një formë të tillë të organizimit të rregjistrimit, por ai vetëm vlerësoi se ky model është në kundërshtim me mënyrën se si përcaktohen të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni. Ai tha se për këtë arsye rregjistrimi tek ne nuk mund të jetë një operacion i thjeshtë statistikor. “Jemi të vetëjdishëm se procesi i regjistrimit të popullsisë është gjithmonë paksa jo vetëm proces statistikor në Maqedoni, por edhe proces politik për arsye të ndryshimeve kushtetuese dhe Marrëveshjes paqësore të Ohrit e cila përcakton të drejtat e komuniteteve në Maqedoni me përqindje, përdorimin e gjuhës dhe përdorimine flamujve të komuniteteve në këtë vend”, u përgjigj Grubi në pyetjen e gazetarëve sot në Kuvend. Kundër propozimit të këtillë për rregjistrimin e popullsisë, ku në vend grafës për përkatësi etnike do të ketë vetëm grafë për gjuhën, kanë dalë edhe dy krahët e lëvizjes Besa. “Shumë element dyshues, tash heqim dorë nga elementi etnik a elementin etnik e kemi në kushtetutë, e kemi në ligjet pozitive të vendit, për shkak se unë në debate të ndryshme, vecanërisht në ligjin për përdorimin e gjuhëve, te zyrtarizimi i gjuhës shqipe shpesh e kam përmend se është turp për shqiptarët për shkak se trajtohemi si 20 % në kushtetutë, trajtohemi si 20 % në ligje, edhe komunitetet tjera, të drejtat e tyre lidhen me 20 % në komuna të ndryshme”, deklaroi Fadil Zendeli nga Lëvizja BESA. Nga krahu tjetër që drejtohet nga Afrim Gashi thonë se gjuha nuk mund të zëvendësojë përkatësinë etnike sepse jo të gjithë pjesëtarët e një etnie flasin një gjuhë të njëjtë. “Për ne, identiteti gjuhësor jo gjithmonë e mbulon edhe identitetin etnik. Ka plot njerëz që për arsye të ndryshme flasin një ose disa gjuhë por kanë vetëm një përkatësi etnike. Prandaj, mendoj që identiteti gjuhësor jo gjithnjë e mbulon edhe atë etnik. Për shembull, në Amerikë, njerëzit flasin anglisht por nuk e konsiderojnë veten për anglezë”, tha Orhan Mutezani nga krahu i Lëvizjes Besa që udhëhiqet nga Afrim Gashi. Drejtori i Entit Shtetëror për Statistikë, Apostoll Simovski, në një brifing me gazetarë njoftoi dje se rregjistrimi i popullsisë i planifikuar për 1 prill të vitit 2020, nuk do të përmbajë pyetje për përkatësinë etnike dhe fetare. Në vend të tyre, në pyetësor do të figurojë vetëm grafa për gjuhën të cilën e flasin qytetarët.
Arben Zeqiri