Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, nuk do të jep dorëheqje dhe nuk ndjehet përgjegjës për arratisjen e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Ai thotë se MPB vepron në bazë të urdhërave të Gjykatës, ndërkaq për këtë përgjegjësi duhet të kërkohet nga gjykatësit.
“Paramendoni ka paraburgim për vjedhje të rëndë, kurse për vepra të renda penale nuk ka paraburgim. Policia punon në bazë të urdhërave të gjykatës. Ekzistojnë masa për siguri dhe ato i siguron gjykata”, tha Spasovski në konferencë për media.
Spasovski njofton se kërkimet do të vazhdojnë, ndërkaq nëse gjykata do t’u jep leje do të hyjnë në çdo objekt për ta kërkuar. Ai tha se MPB ka marrë informacione që do ta ndihmojnë kërkimin, dhe se të njëjtat nuk do të ndahen me publikun.
“E kemi kërkuar Gruevskin në shtëpinë e tij, i kontrollojmë veturat. Përderisa të kemi urdhër do të hyjmë në çdo objekt. Në bazë të informacioneve të deritanishme, me siguri se do të veprojmë. Mos prisni që të vendosim vegëz në qendër dhe ti ndajmë të gjitha informacionet nga kërkimet me publikun”, tha Spasovski.
D. J.