Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë është e shqetësuar sepse në ndryshimet dhe plotësimet e fundit të Kodit Zgjedhor, që me procedurë të shkurtër janë propozuar nga pushteti dhe opozita në Kuvend, nuk është paraparë edhe fshirja e nenit të kontestueshëm për financimin e propagandës politike të partive gjatë kohës së fushatave zgjedhore.
“Jemi të dëshpëruar se Qeveria që nuk i përmbush premtimet publike të dhëna para opinionit maqedonas dhe partnerëve ndërkombëtarë, se pas referendumit do të shfuqizojë mundësinë që paraja publike të shpenzohet për propagandë politike në media.
Në fillim të shtatorit, këtë vit, Qeveria iu përgjigj me shkresë Platformës të Këshillit të Evropës për promovimin dhe mbrojtjen e gazetarisë dhe sigurisë së gazetarëve, e cila në gusht publikoi paralajmërim në lidhje me ndryshimet e kontestueshme në Kodin Zgjedhor.
Në atë përgjigje, Qeveria u zotua se gjatë ndryshimeve dhe plotësimeve të ardhshme të Kodit Zgjedhor do t’i merr parasysh edhe vërejtjet e bashkësisë së gazetarëve.
Nëse mbetet në fuqi zgjidhja që partitë me para publike të financojnë propagandën politike në mediat private atëherë nuk do të ndërpriten relacionet e vjetra klientelistike mes partive politike dhe mediave. Nëpërmjet lidhjeve korruptive që qeveria e kaluar i krijoi me reklamat qeveritare, ajo bleu simpatinë e mediave dhe i shndërroi ato në instrument për përhapjen e propagandës politike.”, thuhet në kumtesën e SHGM.
SHGM do t’i informojë organizatat ndërkombëtare se Qeveria nuk i plotëson premtimet e dhëna se gjatë ndryshimeve të ardhshme të legjislacionit zgjedhor do ta heqin mundësinë që paraja publike të shpenzohen për propagandë politike.