Rrëfimi për një vjedhës, i cili do të duhet të marrë një vendim jetësor pasi që ka vjedhur banesën e një gruaje të moshuar, e cila sëmuret rëndë. E gjithë kjo dramë vjen e shkrirë në projektin më të ri filmik të produksionit “GALAKTIKA”, pas dy filmave tejet të suksesshëm të po të njëjtit produksion.
Premiera e filmit të metrazhit të shkurtër, DECISION – Vendimi, do të shfaqet më 14 nëntor 2018, në Kinotekën e Maqedonisë në Shkup.
Në filmin e realizuar nga produksioni “Galaktika”, me producent Bunjamin Kurtishin dhe regjisor Agim Abdula, në rolet kryesore luajnë: Ajetja Rexhepoviq, Naser Rafuna, Amernis Nokshiqi, Burhan Amiti, Ismet Ramadani, Ajshe Useini.
Kjo dramë është xhiruar në Shkup dhe është mbështetur nga Agjencia e Filmit e Republikës së Maqedonisë.
Pas premirës në Shkup, filmi pritet që të shfaqet edhe në disa festivale ndërkombëtare të Kategorisë A. Tashmë, drejtuesit e projektit janë duke biseduar me distributorë iranianë dhe italianë për distribuimin e filmit. Ndërkohë, në vitin 2019 planifikohet realizimi i një filmi të metrazhit të gjatë. (SHENJA)