U munduan që bojkotin ta shesin sikur të ishte mjaltë. Por, u doli vrerë i hidhur skur ta kishin bërë grerëzat e jo bletët. Sepse në Ballkan ka shumë më shumë grerëza se sa bletë. Më shumë djajë se sa engjuj. Marrëveshjen me Greqinë donin ta shesin si listë dëshirash. Gjoja do paskan mundur të arrijnë një marrëveshje më të mirë me Micotakisin, i cili edhe për të tanishmin thotë se është tradhti! Sikur problemi të ishte rezultat i emocioneve kolektive i vetëm të njërës palë.
Por, kur do të përballeni me emocionet kolektive të palës greke të cilët etnogjenezën e tyre e kërkojnë që para shfaqjes së amebave, puna padyshim që komplikohet. Mbi të gjitha pasi që pozicioni ynë negociues ndeshej me simpatitë tradicionale të shumë grekëve ndaj Rusisë. Fakt është se akoma zemra e një numri të madh grekësh rreh për Moskën, kurse stomaku i lidhur për Brukselin. Atyre UE u shërben si kullotë për “Kalin e tyre të Trojës” .
Është fakt se një numër i madh i grekëve përkatësinë “maqedonase” e ndiejnë si pjesë së historisë së tyre të lashtë dhe si një identitet që është diametralisht i ndryshëm nga maqedonasja e këtushme. Pretendimet kundrejt antikitetit i vështirësonin bisedimet. Kurse koha nuk na premtonte, pasi çdo vonesë ishte e barabartë me ruletin ruse. Po të mos ishin amerikanët dhe gjermanët, të cilët u shqetësuan seriozisht për sigurinë e Ballkanit, vështirë se grekët do të lëshonin pe. Ata do të pritnin që patriotët e këtushëm kokëboshë vet ta shkatërronin shtetin e tyre. Pra, tradhtarët më të mëdhenj do të ishin pikërisht ata që ishin dhe janë kundër marrëveshjes, sepse ajo do të çonte drejt një shkatërrimi të përgjakshëm.
Realisht, regjimi i Gruevskit me vite sillej në mënyrë provokuese ndaj grekëve, që me dinakëri ta eliminojë agjendën euro-atlantike dhe kursin e anijes ta kthejë drejt Lindjes, që garanton një sundim të gjatë. Ka indikacione serioze se shërbimet pro-ruse këtu kanë punuar gjatë gjithë kohës për të penguar marrëveshjen me Greqinë. Prestigjiozja amerikane „Politico Magazine“ prezantojë shumë fakte në lidhje me lojën e ndyrë në marrëdhëniet me Greqinë, me qëllim që të krijojë përçarje. Por, shtresa më e re e popullsisë në Greqi sikur nuk blinte aq shumë këso malli të prishur rus. Ata kuptuan se Rusia përpiqej të nxit destabilizimin rajonal në mënyrë që të faktorizohej për pare të ardhshme ballkanike. Këtu përfshihen heqja e sanksioneve, qasja e tubacionit “Rrjedha Turke”, legalizimi i aneksimit të Krimesë, dhe natyrisht qasja në detrat jugore. Kjo e fundit, më lehtë do të realizohej përgjatë korridorit 10, e cila me automatizëm do të nënkuptonte zhdukjen e Maqedonisë si shtet.
Një analizë e detajuar e prestigjiozes “The National Interest”, tregon se opinioni grek shpejt u kthjell nga skenari i tillë rus, pasi që kuptoi se pas atyre qëndrimeve në mënyrë të koordinuar qëndron edhe Turqia (armiku i tyre i përjetshëm), e cila jo rastësisisht gjatë gjithës kohën apelonte që mos të ndryshohet emri! Një pjesë e atij skenari ishte publikuar në portalin grek „Athens voice“,ku u zbulua një rrjet financimesh të së keqes (që të mos arrihet marrëveshja). Aty ku paraja hynë, morali del. Pasi kur bëhet fjalë për para edhe djalli i citon librat e Zotit.
Tani Maqedonia është një vend i respektuar nga shtete më të fuqishme në botë. Por, elementet anti-perëndimore të maskuara me patriotizëm bëni thirrje për bojkot. Gruevski me dinakëri e ka futur thellë antiamerikanizmin në nënvetëdijen e anëtarësisë së partisë së tij. Tani ata janë robër të një mendjeje të robëruar. Kurse pikërisht SHBA-të luajtën një rol vendimtar në krijimin e një Maqedonie të pavarur. Përmes UNPROFOR-it drejtpërsëdrejti e shpëtuan Maqedoninë nga luftërat e ish-Jugosllavisë. Në vitin 1993, ata ndihmuan në hyrjen në OKB (të dyja rezolutat). Në vitin 1995, ata sponsorizuan Marrëveshjen e Përkohshme. Në vitin 2004 ata njohën shtetin nën emrin e tij kushtetues. Tre vjet më vonë, amerikanët ndikuan që Kanadaja të njohë Maqedoninë nën emrin e saj kushtetues. Nisma të tilla ngritën edhe nga Parlamenti Australian. Ata madje lobuan një iniciativë mbi emrin kushtetues edhe në Parlamentin Evropian. Por, gjithë këtë Gruevski, nga arsyet e tij të njohura e shkeli me kalin e Aleksandrit – Bukefal. Gjërat qesharake i shpalli si krenari kombëtare. Me të kaluarën e rreme e shkatërroi të ardhmen. Duke ngritur monumente të mëdha, nënshtronin njerëz të vegjël.
Dhe tani kur elementi rus mbeti pa karburant, bojkotuesit me forcat e fundit u përpoqën që me fjalë që prekin zemrën e s’kalojnë nga arsya, ta nënçmojnë Marrëveshjen me Greqinë, që ajo assesi të kalojë në parlament. Por, vmro-vcët e zgjuar e dinë saktë se shpëtimi i vërtetë i shtetit është në anën e kundërt të çipit të instaluar në kokën e anëtarësisë analfabete të vmro-së. Prandaj përçarja ishte e pashmangshme. Por, Mickovski analfabet politik akoma s’ka arritur ta kuptojë nënkryetari i tij Nikolloski e kalon etshëm nëpër ujëra! Ai shumë shpejtë kapitulloi para “marrëveshjes kapitulluese”! Ai vështirë e ka ta kuptojë se, politika nuk mund të ndërtohet duke shfrytëzuar defektet dhe devijimet shoqërore. Tani krejtësisht i izoluar nga bota, kurse brenda me përçarje të mëdha. Madje edhe partia mund t’i shkatërrohet. Është shumë e mundshme është që të krijohet një e djathtë tjetër e moderuar dhe Mickoski të shkojë në margjinë. Madje dobësimi i dukshëm i tij dhe partisë së tij, mund të inkurajoj pushtetin për zgjedhje të parakohshme parlamentare, krahas atyre presidenciale. Kështu pushteti do të krijonte komoditet më të madh për reforma, pasi të tanishmet nuk janë aq të dukshme.
Fakt është se marrëveshja me Greqinë domosdo do të kalojë. Me rëndësi është që ngadalë por sigurt e kuptojmë se djallin nuk duhet dëbuar me një djall tjetër, sepse atëherë do të kemi punë me dy djaj. Kurse sa i përket Gjorgje Ivanovit, asgjë e re. Një kosmodisk trullak. vazhdon të jetë avokat i djallit edhe pas vdekjes së vet djallit. Por, është fat i madh që askush atë nuk e merr për serioz! Ndoshta prokuroria!
Kushtet për përdorim, të drejta autoriale dhe mbrojtje të privatësisë
Marrja e përmbajtjeve nën kushte të ndryshme NUK ËSHTË E LEJUAR, përveç me leje me shkrim nga CIVILi. Shkelja e të drejtave autoriale është e ndaluar me ligj.