Afati prej pesëmbëdhjetë ditësh të cilin ia dha Kuvendi Qeverisë për përgatitjen e propozim amendamenteve pasi më 19 tetor 80 deputetë dhanë mbështetje për fillimin e procesit të ndryshimeve kushtetuese, skadon të shtunën. Kishte paralajmërime se propozim amendamentet që sot do të arrijnë në Kuvend, por më pas u paraqitën vlerësime se ajo do të mund të ndodh nga mesi i kësaj jave.
Në ndërkohë partia në opozitë, VMRO-DPMNE-ja ka konsoliduar forcat rreth veprimit të mëtejshëm, pasi mbeti me më pak deputetë, ndërsa disa nga dhjetë grupet e saj parlamentare, shumica nuk i plotësojnë procedurat e Rregullores, sipas të cilës një grup parlamentar duhet të ketë së paku pesë deputetë. Partia paralajmëroi se sot do të dorëzojë në Kuvend propozim-ligjin për amnisti të të gjithë të përfshirëve në ngjarjet e 27 prillit të vitit të kaluar në Kuvendin e Maqedonisë.
Zëdhënësi i Qeverisë Mile Boshnjakovski javën e kaluar në një deklaratë për MIA-n tha se ende zgjatin koordinimet rreth pajtimit për ndryshimet e Kushtetutës.
“Në këtë moment kur ato do të jenë në formë të shkruar do të publikohen dhe do të dorëzohen në Kuvend për finalizimin e tyre”, tha Boshnjakovski për MIA-n duke mos precizuar kur mund të ndodhë ajo.
Ndërsa kryeministri Zoran Zaev, paralajmëroi se ekziston mundësi që propozim amendamentet të dorëzohen para afatit pesëmbëdhjetë ditor.
Nga partia në pushtet ende bëjnë apel që partia në opozitë VMRO-DPMNE të kyçet në bisedimet për ndryshimet kushtetuese, por megjithatë ata nuk janë optimist se ajo do të ndodhë.
“Në interes të qytetarëve sa më parë të dorëzohen amendamentet në Kuvend. Mbeten të hapura bisedimet me kolegët tanë, deputetë të opozitës dhe të nisim procesin sepse ligji për amnisti është ndërhyrje brutale ndaj sistemit të drejtësisë të Republikës së Maqedonisë”, tha deputeti i LSDM-së Kostadin Kostadinov.
Ndërsa, në bisedimet për propozim-amendamentet, do të përfshihen tetë deputetë të opozitës të cilët dhanë mbështetje për ndryshimet kushtetuese dhe të cilët tanimë e njoftuan kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferin se ata edhe më tej do të veprojnë si deputetë të pavarur dhe se formojnë një grup të ri parlamentar.
Siç, njoftoi MIA, koordinator i atij grupi parlamentar ka gjasa të jetë ish ministrja e Kulturës Elizabeta Kançevska MIlevska. Ky grup i ri parlamentar në Kuvend, siç thonë, do të veproj si opozitë dhe prej sot do t’i fillojë bisedimet për projekt propozimet për amendamentet e Kushtetutës, por në pajtueshmëri me katër kërkesat e tyre të cilat i dorëzuan në Kuvend para votimit të ndryshimeve kushtetuese.
Në këtë grup parlamentar përveç Kançeva-Milevska do të jenë edhe deputetët Emilija Aleksandrova, Krsto Mukoski, Luben Arnaudov, Vladanka Aviroviç, Sasho Vasilevski, Zeqir Ramçiloviç dhe Nola Ismailovska Starova.
“Të gjitha amendamentet, ato që i dimë dhe presim të dorëzohen, e gjithë ajo do të merr rreth dy muaj – dy muaj e gjysmë për procesin e kompletuar”, vlerësoi sekretari i përgjithshëm i LSDM-së Aleksandar Kiracovski.
Stoilkovski nuk precizoi nëse VMRO-DPMNE-ja mendon të dorëzojë ndryshime në Kushtetutë, por konsultimet, theksoi, në lidhje me veprimin e opozitës janë në rrjedhë.
Nga pushteti edhe më tej presin formimin e një komisioni për pajtim dhe bashkim kombëtar, ku pjesëmarrës do të ishin të gjithë grupet parlamentare, ndërsa për ata është i papranueshëm propozim-ligji i VMRO-DPMNE-së.
Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së Dimçe Arsov gjatë fundjavës deklaroi se propozim-ligji për amnisti tashmë është përgatitur dhe sot duhet të dorëzohet në Kuvend. Tekstin do ta dorëzojnë deputetët e VMRO-DPMNE-së, ndërsa LSDM-ja dhe të gjithë të tjerat, siç tha Arsovski, do të kenë mundësi të pranojnë.
“Nëse qëllimet e LSDM-së janë të sinqerta, tani është momenti për të votuar dhe për të hequr barrën nga të gjithë njerëzit e përfshirë në ngjarjet e 27 prillit”, theksoi zëdhënësi.
LSDM-ja propozimin e tillë e vlerësoi si ndërhyrje brutale ndaj gjyqësorit.
“Si një parti përgjegjëse dhe shtetformuese, ne udhëhiqemi për të respektuar parimin e një shteti të drejtë dhe në atë drejtim mund të flasim për shtrirjen e dorës së pajtimit, por gjithsesi nuk mund të flasim për amnistinë”, tha deputeti i LSDM-së Kostadin Kostadinov. (MIA)