VMRO prek fundin dhe akoma s’mbushet mend! Vazhdon me nacionalizmin primitiv dhe politikën antiperëndimore, e pavetëdijshme se ashtu asnjëherë nuk do të mund të vij në pushtet.
Por, si duket epshi i madh i Mickoskit për t’u bë kryeministër bënë që ai në çdo segment të jetë joracional e joreal. Pas shumë kohe do të shef se vetëm se ka luajtur rolin e Sizifit. Gjithë elita politike botërore erdhi ta lusë që të mos prishë ura të ndërtuara, kurse ai prishi edhe rrugë. Ajo gjatë kohë në Perëndim nuk do t’i harrohet pa dallim se kush do jetë lider atje në të ardhmen. Tani më VMRO haptazi e ka orientuar ujin nga mulliri rus dhe kjo do t’ia haj kokën saj. Thonë se mbrojkan njëfarë identiteti nga askush i rrezikuar, përveç se nga vetja e tyre. Dhe të paktën në vend se pakëz të pendohen dhe të kërkojnë falje si parti, ata edhe më shumë ofrojnë vuajtje. Mu ata që kapitulluan dy milionë njerëz tani flasin për marrëveshje kapitulluese! E tani normal përçarje, pasi jo të gjithë vmrov-cët hanë barë. Një grup deputetësh nga ajo parti thonë se politika e liderit të tyre nuk vlen as për pesë para. Kërkon zgjedhje në momentin kur nga të gjitha anët gjithanshëm është i bllokuar, pa kurrfarë kapaciteti koalicionues. Nuk regjistronin në kokë se me aso politike bënin minimin e Marrëveshjes me Greqinë, pas së cilës qëndrojnë fuqitë më të mëdha në botë. Por, ata me trurin e tyre vazhdojnë të shesin patriotizëm skizofren, të cilin mund ta blejnë vetëm ata ma tru skizofren.
Mickoski tani lëshon lot se si deputetët s’paskan durua edhe pak, pasi zgjedhjet ishin mu aty afër dhe do t’i fitonin. Pra, ai tha publikisht atë që ka në zemër, se nuk i intereson mileti e shteti, por pushteti. Ai nuk ka kapacitet të kuptoj çfarë dëmi do i bënte, shtetit, rajonit, madje edhe vetëvetes. Partia që udhëheq ai, mbolli më të keqen në gjithë historinë e Maqedonisë. Njëmbëdhjetë vite djallin e quante engjëll! Shkeli mbi jetën dhe dinjitetin e miliona njerëzve! Nga ta rinia mori rrugën e njëkahshme e pa kthim. Të aftët u dëbuan, kurse analfabetët u mbajtën! Kurse propaganda e nivelit nazist njerëzve gjithë kohën ua dhunonte dinjitetin e inteligjencien. Mickoski, jo që s’kërkoj falje për të kaluarën, por ai akoma e betonoi ate me logjikën e tij të shekullit 18 – “Nëse unë ju të tradhtoj – më vritni”. Kësaj logjike iu bënë kumbar edhe do intelektual-mercenar. Tani shihet qartë më shumë se kurdoherë se VMRO nuk është parti, as ideologji, por strukturë teroriste për helmim masiv! Helmonte popullin me Grekët, ndërkaq shumë biznese të zeza i bënte mu me ta! Helmonte me rrezikimin e kombit, të cilit ia zhduku identitetin e dinjitetin! Helmonte me religjionin, duke koalicionuar me djallin. Helmonte me opozitën, me Shqiptarët, me ikonografinë, historinë. Helmim masiv me popullin dhe tani Mickoski le t’ia mendojë se si do t’ia bëjë me këtë fatkeqësi elementare që nga idiotë bëri elitë politike!
Ata si duket nuk kanë çip që dallon të mirën nga e keqja, andaj si të tillë janë rrezik i tërë Ballkanit. Na kujtohet kur para do kohe kryetari i Komisionit Evropian Zhan-Klode Junker pat thënë: “Unë i thashë zëvendëskryetarit Pens që mos të flasin në favor të Bregzitit, sepse në qoftë se UE-ja shpërbëhet, ne do të kemi një luftë të përgjakshme në Ballkanin Perëndimor.” Realisht Lindja e Afër është gjithnjë e më afër nesh, kurse Mickoski afatshkurtë kalkulonte se nëse bie referendumi, do të bjerë edhe qeveria. Për me një analizë të tillë të thjeshë, asnjëherë nuk merret notë kaluese as në vitin e parë të shkencave politike. Sepse pikërisht atëherë është fundi i çdo gjëje këtu edhe rajon, madje edhe i vet VMRO-së.
Kompromise e marrëveshje bëjnë edhe vet vendet më të fuqishme në botë. Vet SHBA-të dhe Rusia bënë kompromisin historik mbi Kubën në vitin 1962 (bota u shpëtua). Kina dhe Rusia për lumin Amur. India dhe Kina (për Tibetin). India dhe Pakistani (për Kashmirin). Turqia dhe Greqia (për Qipron). Serbia tani me Kosovën. Ato madje janë kompromise shumë më të ndjeshme se fjala ,,Veriore,, në emrin e shtetit që s’paraqet asgjë esenciale. Fundja, Maqedonia me emrin kushtetues që ka, nuk është quajtur më shumë se 28 vite. Bota habitet me ne edhe pse dëshiron të na kuptojë. Por, fakt se është e lodhur me ne. Bojkotuesit nuk kuptuan se shkelën mbi atë që do i shpëtonte nga fatkeqësia e varfëria vet ata, fëmijët, nipërit e mbesat e tyre. Ajo do ishte një votë për paqen, progresin e mirëqenien. Votë për jetën dhe normalitet, përkundrejt mashtrimit e grabitjes që pamë.
Por, mjaft ua lëshuam rrugën të marrëve, sepse ne vet nuk do kemi kah të lëvizim. Për vite të tëra jo vetëm që na i zunë të gjitha rrugët, por edhe të gjitha institucionet, gjykatat, prokuroritë, madje edhe shtëpitë dhe jetët tona. Dhe kjo është arsyeja pse ne jemi gjithmonë të fundit në rajon. Kurse ishim ndër të parët. Por, tani jemi përsëri në qendër të vëmendjes e shans tjetër më nuk do të kemi. Nuk duhet t’u besohet atyre me të cilët Laura Koveshi do të bënte kuorum qeveritar në Idrizovë. Duke na e kundërshtuar rrugën normale, na çuan drejt një rruge qorre. Tani arsyeshëm që gjenden para një përçarjeje të thellë. Për vite të tëra jetuan në mjegulla, kurse tani pasi rranë në ujë kërkojnë varka shpëtimi. Nga paratë e zeza nuk shohin as ditë të bardhë. Një kohë njihnin paratë, tani njehin ditët. Shumëzojnë, ndajnë, minusojnë, dhe rezultati sërish u është zero negativ. Çdo ditë na i mbushnin kokat tonë se kishin qenë një princeshë e bukur, a në realitet ne pamë se kishin qenë vetëm një shtrigë e shëmtuar. Gjatë gjithë kohës u mburrën me të mirat e padukshme. Ndërkaq Ivanovi ngjason në Kristofer Kolumbon. Ai kur u largua, nuk dinte se ku shkonte. Kur arriti, nuk dinte se ku ishte. Kurse kur u kthye, nuk dinte se ku kishte qenë! Por, edhe pushteti duhet pak ta vë gishtin në kokë.
Kushtet për përdorim, të drejta autoriale dhe mbrojtje të privatësisë
Marrja e përmbajtjeve nën kushte të ndryshme NUK ËSHTË E LEJUAR, përveç me leje me shkrim nga CIVILi. Shkelja e të drejtave autoriale është e ndaluar me ligj.