OEMVP sot mbajti konferencë për shtyp në të cilëni paraqiti qëndrimet për problemet në të cilat hasin kompanitë gjatë të bërit biznes.
“Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore përshëndet angazhimin e institucioneve shtetërore për përmirësim të rregullativës ligjore dhe kushteve të të bërit biznes, si dhe mbështet çdo iniciativë dhe hap që ndërmerret për të lehtësuar punën e kompanive që veprojnë në treg, e poashtu si çdoherë edhe kësaj rradhe deklarojmë që jemi të gatshëm, që duke vepruar në partneritet dhe me mirëbesim me institucionet shtetërore në cilindo qoftë nivel, të ndihmojmë në përmirësimin e biznes klimës dhe të kontribuojmë në zhvillimin ekonomik të vendit.
Duke u nisur nga përcaktimet tona strategjike, sidomos përcaktimi i parë strategjik për zbatimin e drejtë të ligjeve dhe mbrojtjen nga zbatimi selektiv i ligjeve, si dhe misioni ynë për mbrojtjen e biznesit dhe zhvillimit ekonomik të vendit, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore sjell këto vlerësime:
-Ekonomia e vendit është në një gjendje të vështirë si pasojë e më shumë faktorëve që ndërlidhen me zhvillimet politike dhe shoqërore të periudhës së 2 viteve të fundit;
-Gjendja politike dhe shoqërore e vendit si rrjedhojë sjell pasiguri në zbatimin e drejtë dhe institucional të obligimeve të më shumë palëve të përfshira në jetën ekonomike dhe administrative në vend, që mund të vërehet edhe nga raporti për Indeksin global të konkurrueshmërisë të Forumit ekonomik botëror, që ne si odë dhe partner i Forumit ekonomik botëror e publikuam dje;
-Zhvillimi ekonomik i vendit është i kushtëzuar nga veprimtaria e lirë dhe pa pengesa institucionale dhe jashtëinstitucionale e bizneseve, gjithmonë duke i zbatuar parimet, normat ligjore dhe ato nënligjore të vendosura si standard i shteteve bashkëkohore.
Prandaj, problemet me të cilat ballafaqohen bizneset në kryerjen e veprimtarisë së tyre asesi nuk duhet të jenë si rrjedhojë e moszbatimit të drejtë të ligjeve, respektivisht zbatimit selektiv duke mos i zbatuar obligimet që burojnë nga rregullativa ligjore për institucionet shtetërore.
Rasti i shfuqizimit të planeve detale urbanistike në Komunën e Karposhit dhe në Komunën e Aerodromit janë raste eklatante ku një numër biznesesh përjetuan humbje të mëdha financiare, jo për shkak të sjelljes joparimore dhe mangësive në miratim të planeve, por në raste të caktuara edhe për sjelljen me papërgjegjësi të institucioneve të cilat nuk i respektojnë obligimet ligjore në punën e tyre. Me këto veprime ndërpritet realizimi i projekteve investuese të kompanive ndërtimore.
Prandaj, duket i pasur para vetes të gjitha këto raste, Ju bëjmë apel institucioneve qendrore dhe lokale që problemeve me të cilat ballafaqohen bizneset, sidomos kohëve të fundit, t’ju qasen me përkushtimin më të madh dhe me punë serioze që të njëjtat sa më shpejtë të zgjidhen dhe të mos përsëriten.
Gjithashtu, më me rëndësi për ne si odë dhe për bizneset është zbatimi i drejtë i ligjeve, respektimi i procedurave dhe të drejtave të garantuara me ligj për kompanitë si persona juridik, duke mundësuar operim të bizneseve pa pengesa, sepse çdo pengesë për investim nga biznesi është ngecje për përmirësimin e kushteve jetësore.”, thuhet në kumtesën e OEMVP.