Në Gjykatën penale në Shkup sot vazhdon lënda e Prokurorisë Speciale Publike “Dhuna në Qendër”, ku për nxitje të dhunës të akuzuar janë disa persona, mes të cilëve edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-ministri i Transportit, Mile Janakieski dhe ish-këshilltarja e VMRO-DPMNE-së, Daniella Rangellova.
Gjykimi duhet të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit Sasha Bogdanoviq, pasi që në seancën e kaluar përfundoi dëshmia e ish-kryetarit të këshillit të Komunës Qendër, Mirosllav Shipoviq.
Gjykata në seancën e kaluar, me kërkesë të prokurorisë solli vendim për ndarje të procedurës kundër të akuzuarit Mitko Pecov, i cili për shkak të sëmundjes nuk mori pjesë në seancë.
Në seancat e kaluara për këtë lëndë, fajin e pranuan i akuzuari i katërt Tomisllav Llazarov dhe i akuzuari i pestë Jordan Ristevski dhe morën dënime me kusht. Për të akuzuarin e shtatë, Dimçe Kërstev, dhe për të akuzuarin e tetë, Mitko Pecov ndërkaq po zhvillohet procedurë e ndarë.
Të akuzuarit ngarkohen për nxitje të dhunës që ndodhi gjatë protestave para komunës Qendër në qershor të vitit 2013.