Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, me rastin e hetimeve të reja të cilat i hapi PPS, ndërsa në të cilat në njërin prej tyre përmendet emri i tij, në një kumtesë për opinionin thekson se gjithmonë ka punuar sipas ligjit dhe në interes të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.
“Informacioni rreth hapjes së hetimeve nga ana e PPS-së, edhe pse më parë si spekulim e kisha dëgjuar dhe lexuar nëpër mediume, ishte befasi për mua e veçanërisht potencimi i emrit tim në kontekst të keqpërdorimeve eventuale. Në karrierën time politike dhe në përgjithësi në karrierën time profesionale si Ministër i Shëndetësisë më herët por edhe tash si zëvendëskryeministër udhëheqës i Sekretariatit për Çështje Evropiane, gjithmonë kam punuar sipas ligjeve dhe në interes të të gjithë qytetarëve te Republikës së Maqedonisë”, thotë Osmani në reagimin me shkrim.
Osmani thotë se i qëndron në dispozicion edhe PPS-së edhe një organi tjetër gjyqësor dhe se hetimin e konsideron si normal dhe korrekt.
“Hetimin e inicuar e konsideroj si normal, korrekt dhe obligim profesional i Prokurorisë dhe në atë drejtim jam në dispozicion të Prokurorisë Speciale Publike si dhe të cilitdo organ tjetër të drejtësisë në vend, për bashkëpunim në interes të identifikimit të gjendjes faktike në tërësi. Dua të theksoj se nuk kam asgjë për të fshehur, përkundrazi pres një hetim më të shpejtë dhe më efikas me qëllim të vetëm të zbardhet e vërteta – se as që kam ndikuar dhe as që kam mundur të ndikoj e aq më pak nuk kam mundur të jem i njoftuar me keqpërdorime eventuale, sigurisht nëse ekziston një gjë e tillë”, thekson zëvendëskryeministri në reagimin me shkrim në opinion. (MIA)