Qeveria dje në seancë të jashtëzakonshme e shqyrtoi Propozimin për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, e miratoi tekstin dhe e dorëzoi në Kuvend, me qëllim që të shqyrtohet dhe të sillet vendim për fillimin e ndryshimeve të Kushtetutës të parapara me Marrëveshjen e Prespës.
Sipas dispozitave të Rregullores së Kuvendit, e gjithë procedura për ndryshimin e Kushtetutës, nëse respektohen afatet e fundit, duhet të zgjasë rreth tre muaj e gjysmë.
Procedura për ndryshim të Kushtetutës do të shkonte në tre faza. Në fazën e parë, Kuvendi, me shumicë prej dy të tretave duhet të sjellë vendim për aderim drejt ndryshimit të Kushtetutës. Në fazën e dytë duhet të përcaktohen draft-amendamentet dhe për këtë nevojitet shumicë e thjeshtë ose 61 vota. Faza e tretë dhe e fundit është miratimi i amendamenteve për çka nevojitet shumicë prej dy të tretave ose mbështetje prej më së paku 80 deputetëve.
Faza e parë që filloi dje me dorëzimin e Propozimit për ndryshime kushtetuese nga Qeveria deri te Kuvendi mund të zgjasë së paku 20 ditë pune, gjegjësisht 10 ditë për debat në Komisionin Parlamentar dhe edhe 10 ditë në seancën plenare të Kuvendit.
Procedura vazhdon në seancë plenare në Kuvend, në të cilën me shumicë prej dy të tretave duhet të sillet vendim për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës, pas çka kalohet në fazën e dytë, gjegjësisht përgatitja dhe përcaktimi i draft-amendamenteve. Rregullorja parlamentare parasheh që nga momenti i parashtrimit të draft-amendamenteve në Kuvend deri në mbajtjen e seancës plenare për miratimin e tyre duhet të kalojnë së paku 30 ditë.
Kërkimi për secilin draft-amendament në veçanti mund të zgjasë më së shumti tre ditë dhe në Komision edhe në seancën plenare, por mund të përfundojë edhe më shpejt se afatet maksimale.
Kuvendi me së paku 61 vota duhet t’i përcaktojë draft-amendamentet, pas çka ata shkojnë në debat publik, kohëzgjatjen e të cilave e përcakton Parlamenti.
Pas kësaj faze të ndërmjetme, Qeveria duhet t’i përgatisë propozim-amendamentet dhe t’i dorëzojë deri te Kuvendi. Nga momenti i dorëzimit të propozim-amendamenteve në Kuvend deri te mbajtja e seancës plenare për miratimin e tyre duhet të kalojnë së paku 30 ditë.
Propozim-amendamentet duhet të shqyrtohen nga Komisioni ligjvënës -juridik dhe Komisioni për çështje kushtetuese dhe në fund edhe në seancë plenare.
Vendimi final për miratimin e amendamenteve sillet me shumicën prej dy të tretave ose së paku 80 vota. Për amendamentin e Preambulës të Kushtetutës përveç shumicës prej dy të tretave, nevojitet edhe shumica e Badenterit.
Se kur do të caktohet seanca e kuvendit për propozimet për ndryshime të Kushtetutës, vendos kryetari i Kuvendit.
Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dje në emisionin “Top tema në anën tuaj” në TV Telma tha se janë përcaktuar kompetencat dhe institucionet kompetente të cilat mund të ngrenë nismë për qasje drejt ndryshimeve kushtetuese.
Saktësoi se pas arritjes së propozimit në Kuvend në afat prej tre ditëve duhet të konfirmohet nëse i përmban të gjitha elementet e nevojshme.
“Nëse shkojmë me procedurë të rregullt në afat prej tre ditësh duhet të shqyrtohet materiali prej aspektit formal dhe juridik, të konsultohem me shërbimet dhe nëse vendimi i ka të gjitha elementet t’ua dërgoj deputetëve. Këtë mund ta bëj edhe për një ditë. Në momentin që e dorëzoj materialin deri tek deputetët më së shpejti në procedurë të rregullt mund të konvokoj seancë plenare për 10 ditë pune. Në këto 10 ditë derisa zgjat pritja për seancën plenare duhet të konvokoj seancë të Komisionit për Çështje Kushtetuese ku jam kryetar për nga funksioni dhe ta shqyrtojmë propozimin e komisionit”, sqaroi Xhaferi.
Afatet, shtoi, mund të jenë edhe më të shkurtra.
Sipas Xhaferit procedura mund të jetë edhe urgjente me kërkesë të Qeverisë, të kryetarit apo të 20 deputetëve, por edhe kryetari i Kuvendit ka mundësi të vendosë që seanca të jetë urgjente.
Nga Qeveria i bënë thirrje të gjithë deputetëve në Kuvend, pa dallim se cilës parti i përkasin, të japin përkrahje sepse kanë detyrim historik dhe obligim para qytetarëve, që të sigurojnë rrugën e Maqedonisë drejt stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit, ndërsa kjo është rruga drejt NATO-s dhe BE-së e cila hapet përmes Marrëveshjes së Prespës.
Nga deputetët në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë pritet vendim në këtë drejtim dhe si shprehje e respektit të vullnetit të qytetarëve që kanë votuar në referendum, si dhe të vullnetit të rreth 80 për qind të qytetarëve që vazhdimisht deklarojnë se e miratojnë anëtarësimin e vendit tonë në BE dhe NATO.
Nga qeveria thonë se realizimi i këtij vizioni është në duart e çdo deputeti më vete dhe kjo varet prej tyre. Ata duhet që të marrin një vendim me të cilin do ta bëjnë Republikën e Maqedonisë një vend më të mirë, një vend më të bukur për të jetuar për çdo qytetar.
Propozim për qasje drejt ndryshimit të Kushtetutës
Në tërë tekstin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë para fjalës Maqedoni shtohet mbiemri Veriore.
Nga Qeveria bëjnë me dije se qëllimi i këtyre ndryshimeve të Kushtetutës është implementimi i marrëveshjes me Greqinë, me çka duhet të mundësohet qasja e Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Me këtë rast, krahas kushteve të përgjithshme dhe afateve për hyrje në fuqi të amendamenteve, të cilat do të jenë të lidhura me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes dhe ratifikimin e protokollit për inkuadrim të Republikës së Maqedonisë në NATO në Parlamentin e Republikës së Greqisë, respektivisht ndërprerjen e vlefshmërisë së amendamenteve në rast të mos’hyrjes në fuqi të këtyre dy dokumenteve, për mënyrën e zbatimit të këtij amendamenti konkret do të ketë edhe afate të posaçme.
Në të vërtetë, në pajtim me marrëveshjen do të konfirmohet edhe periudha kalimtare për zbatim të dispozitës lidhur me vlefshmërinë e dokumenteve veçmë ekzistuese dhe materialeve të dhëna nga organet e pushtetit të Republikës së Maqedonisë. Me këtë rast do të ketë dy periudha kalimtare, “teknike” dhe “politike”.
Periudha kalimtare “teknike” ka të bëjë me të gjitha dokumentet dhe materialet zyrtare të adminstratës publike në Republikën e Maqedonisë për përdorim ndërkombëtar, por të cilat mund të përdoren edhe jashtë shtetit. Vlefshmëria e dokumenteve dhe materialeve të tilla do të ripërtërihet me skadimin e afatit të tyre, por më së voni në afat prej pesë viteve pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes.
Periudha kalimtare “politike” ka të bëjë me të gjitha dokumentet dhe materialet, të cilat janë ekskluzivisht për përdorimin e brendshëm në Republikën e Maqedonisë. Dhënia e dokumenteve dhe materialeve të tilla do të fillojë gjatë hapjes së secilit kapitull në sferën relevante në negociatat me Bashkimin Evropian dhe do të finalizohet në afat prej pesë viteve prej atëherë.
Ndryshime në preambulën e Kushtetutës
Për shkak të harmonizimit të tekstit të Preambulës me marrëveshjen me Greqinë, në Preambulën do të kryhen ndryshime adekuate, thonë në Qeveri.
Në Preambulën e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë gjatë theksimit të traditave shtetërore-juridike, do të emërohen dokumente konkrete nga KAÇKM, respektivisht do të vendoset referim i Njoftimit të Seancës së parë të KAÇKM-së deri te populli maqedonas për mbledhjen e mbajtur të KAÇKM-së, me vendimet e saj konstituive.
“Qëllimi i këtyre ndryshimeve të Kushtetutës është implementimi i Marrëveshjes me Greqinë, me çka duhet të mundësohet aderimi i Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO, potencojnë nga Qeveria.
Garanci më të fuqishme në kufi
Në nenin 3 nga Kushtetuta është rregulluar se territori i Republikës së Maqedonisë është i pandashëm dhe i patjetërsueshëm. Kufiri aktual i Republikës së Maqedonisë është i pacenueshëm. Republika e Maqedonisë nuk ka pretendime territoriale ndaj shteteve fqinje. Kufiri i Republikës së Maqedonisë mund të ndryshojë vetëm në pajtim me Kushtetutën dhe ndaj parimit të vullnetarizmit dhe në pajtim me normat e përgjithshme të pranueshme ndërkombëtarisht.
Ky nen tani më është ndryshuar në vitin 1992 me Amendamentin I, kur u shtua parimi i vullnetarizmit gjatë ndryshimit të kufirit dhe harmonizimit me normat e përgjithshme të pranuara ndërkombëtarisht. Gjithashtu me këtë amendament u deklarua se Republika e Maqedonisë nuk ka pretendime territoriale ndaj shteteve fqinje.
Me amendamentin e ri kushtetues i cili propozohet do të deklarohet respektim i sovranitetit, integritetit territorial dhe pavarësisë politike të shteteve fqinje dhe me këtë do të saktësohet garanci më e fuqishme për qëndrueshmërinë e kufijve dhe se Republika e Maqedonisë nuk ka pretendime territoriale. Kjo nënkupton mbrojtje të integritetit territorial të Republikës së Maqedonisë dhe të vendeve fqinje.
Me Marrëveshjen konfirmohet kufi ekzistues i ndërsjellë midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë si kufi ndërkombëtar i përhershëm dhe i pacenueshëm, me ç’rast merret për obligim asnjëra prej dy shteteve të mos ketë, as të mbështesë ndonjë prej pretendimeve ndaj cilës do pjesë të territorit të shtetit tjetër, e as pretendime për ndryshim të kufirit të tyre të ndërsjellë ekzistues. Përveç kësaj edhe Republika e Maqedonisë edhe Greqia u obliguan se nuk do të mbështesin çfarëdo pretendimesh të cilat mund t’i japin palët e treta.
Republika e Maqedonisë dhe Greqisë u obliguan për ta respektuar sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë politike të shtetit tjetër dhe të mos mbështesin çfarëdo aktivitetesh të palëve të treta të orientuara ndaj sovranitetit, integritetit territorial ose pavarësisë politike të shtetit tjetër.
Gjithashtu dy shtetet ndërmorën obligim, në pajtim me qëllimet dhe kapitujt e Kartës së Kombeve të Bashkuara, që të distancohen nga kërcënimet ose përdorimi i forcës, duke përfshirë edhe kërcënimet ose përdorimin e forcës me qëllim që të prishet kufiri i tyre ekzistues i ndërsjellë.
Kujdesi për diasporën
Në nenin 49 të Kushtetutës është caktuar se Republika kujdeset për ndarjen dhe të drejtat e pjesëtarëve të popullit të Maqedonisë në vendet fqinje dhe për mërgimtarët nga Maqedonia, e ndihmon zhvillimin e tyre kulturor dhe i avancon lidhjet me to . Republika kujdeset për të drejtat kulturore, ekonomike dhe sociale të qytetarëve të Republikës jashtë vendit. Republika me këtë rast nuk do të përzihet në të drejtat sovrane të shteteve tjera dhe në punët e tyre të brendshme.
Edhe ky nen është ndryshuar me Amendamentin II në vitin 199, i cili parashikonte se Republika e Maqedonisë nuk do të përzihet në të drejtat sovrane të shteteve tjera dhe në punët e tyre të brendshme.
Me amendamentin kushtetues, i cili propozohet, do të deklarohet kujdes për të drejtat kulturore, ekonomike dhe sociale të pjesëtarëve të popullit të Maqedonisë dhe të gjithë qytetarëve jashtë vendit, pa qenë kjo përzierje në të drejtat sovrane të shteteve tjera dhe në punët e tyre të brendshme, në çfarëdo forme dhe për çfarëdo qoftë shkaku.
Konform Marrëveshjes, Republika e Maqedonisë dhe Greqia u detyruan që asnjë dispozitë nga Kushtetuta, të mos mundet apo nuk duhet të interpretohet në mënyrë që paraqet ose kurdoherë do të paraqet bazë për përzierje në punët e brendshme të një shteti tjetër, në çfarëdo qoftë forme ose çfarëdo qoftë shkaku, përfshirë edhe për shkak të mbrojtjes së statusit dhe të drejtave, të cilëve do qoftë persona, që nuk janë qytetarë të saj. (MIA)