Shënime nga dita e votimit në Referendumin, 30 shtator, viti 2018: Lista e keqe e Votuesve, por edhe administrata joefikase ka sjellë gjendje absurde në ditën e votimeve, siç rekomandon Civili vite me radhë. Ky raport i gazetarit Arben Zeqiri është ilustrim i jashtëzakonshëm për atë se si e drejta e votimit është e lënduar, për shkak të Listës së keqe dhe trajtimit të keq të votuesve që do të tentojnë ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre.
Mbi 100 qytetare dhe qytetarë janë ankuar se nuk janë në Listën e Votuesve në ditën e referendumit, vetëm në komunën e Tetovës. Njësia rajonale e KSHZ edhe zyrtarisht ka konfirmuar se deri më ora 15 rreth 100 votues janë ankuar se nuk gjenden në Listën e Votuesve. Ky numër nuk është përfundimtar, sepse edhe pas orës 15, vëzhguesit e Civilit pranojnë informata plotësuese për persona që nuk ekzistojnë në Listën e Votuesve, kështu që numri i vërtetë i votuesve të “zhdukur” është me siguri shumë më i madh.
Një numër i madh i votuesve janë ankuar te vëzhguesit e Civilit se nuk janë në Listën e Votuesve, por se nuk e kanë ndërmend të ankohen, sepse të njohur të tyre dhe familjarë u kanë treguar se kjo nuk është e dobishme dhe se nuk mund të kryejnë punë. Gjatë vizitës tonë në njësinë rajonale të KSHZ në Tetovë pranuam edhe konfirmim se për këtë gjendje, thjeshtë nuk ka zgjidhje.
Paralajmërimet e Civilit se Lista e Votuesve është në gjendje të mjerueshme u treguan si të vërteta qy në orët e mëngjesit kur në disa vendvotime në Tetovë u paraqitën problemet e para me gjetjen e votuesve. Disa votues deklaruan se në zgjedhjet e kaluara kanë votuar në një vendvotim, ndërsa në referendumin janë bartur në vendvotim tjetër. Disa u ankuan se nuk gjenden në Listë.
Në vendvotimin numër 1949 në Sh.F. “Migjeni”, një votues deklaroi se babai i tij i ndjerë Abdulla Jusufi ende gjendet në Listën e Votuesve, dhe se këtë e ka vërejtur gjatë votimit. Për vetëm gjysmë ore, në vendvotimet në atë shkollë u takuam edhe me dy persona që u ankuan se nuk gjenden në Listën e Votuesve. Në shkollën e mesme “Mosha Pijade” në Tetovë, edhe një votues është ankuar se nuk gjendet në Listën. Nga KV i kanë rekomanduar të paraqitet në KKZ ose në njësinë rajonale të KSHZ.
Në vendvotimin 1929, qytetarja Safije Zeqiri ka qenë e shlyer nga Lista e Votuesve, ndërsa pretendon se edhe një fqinj e ka konstatuar të njëjtën në atë vendvotim. Në rrugën 110, nr.58, ku jeton Safije Zeqiri, në Listën e Votuesve figuron me emër dhe mbiemër tjetër, Lumbardh Krasniqi. Aty është që nga zgjedhjet e kaluara parlamentare (2016). Askush nuk e njeh, nuk jeton në atë adresë dhe nuk është pjesë e asaj familje.
Gjatë vizitës së objektit të komunës Tetovë u takuam me dy qytetarë që u ankuan se nuk gjenden në Listën e Votuesve, pasi që një votues tjetër i ka informuar se nuk ka mundur ta shfrytëzojë të drejtën e tij votuese, ata janë irrituar dhe as që kanë provuar të kërkojnë ndihmë nga organet përkatëse.
Pas këtyre takimeve me votuesit e pakënaqur e drejta votuese e të cilëve u është shkelur, u drejtuam te njësia rajonale e KSHZ që të marrim të dhëna të sakta dhe të pyesim për mënyrën e kthimit të votuesve në Listë.
Personi përgjegjës që quhej Arben Fejzuli në zyrën e KSHZ në Tetovë, na tregoi se nuk kanë të dhëna të sakta, sepse të gjithë qytetarët që janë ankuar, janë ankuar gojarisht, ndërsa ata nuk kanë ndonjë sistem të evidentimit ose për përpunimin e të dhënave. I gjithashtu na informoi se rreth 100 persona deri ora 15 janë ankuar se nuk gjinden në Listën e Votuesve. Megjithatë, ne kontaktuam, ose pranuam informata për edhe njëzetë persona të cilët gjatë pasdites, pas orës 15 kanë tentuar, por nuk kanë arritur ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votë në referendum.
Kështu që, kuptuam për dy raste të reja të problemeve me Listën e Votuesve në daljen nga zyrat e KSHZ në Tetovë. Dy persona kanë ardhur të ankohen se nuk gjinden në Listën e Votuesve, edhe pse kanë nxjerrë letërnjoftime më 30 korrik të vitit 2018. Problemi i tyre nuk u zgjidh, edhe pse kishte tentim për asistim nga “qendra” në Shkup.
Vetëm sa mbaroi kjo “epizodë”, në zyrë hyri edhe një qytetare që u ankua se nuk gjendet në Listën e Votuesve. Kërkoi dokument me të cilin zyra e KSHZ do të konfirmojë se kanë pranuar ankesë dhe se do ta procedojë rastin. Personi përgjegjës i rekomandoi qytetares të drejtohet në “qendrën” e KSHZ në Shkup, ose të shkruajë ankesë që do të kopjohet dhe dërgohet në Shkup. “Nuk do të arrijë në Shkup, do ta hidhni në kosh”, u përgjigj qytetarja e mllefosur dhe u largua.
Arben Zeqiri
Foto: Tomisllav Georgiev/kolektif.mk