Pas informacionit të sotëm se Gjykata e Apelit në Shkup pjesërisht e ka pranuar ankesën e të pandehurit të parë Gjoko Popovski për lëndën “Tanku” të PSP, ndërsa tërësisht e ka konfirmuar dënimin e të pandehurit të dytë Nikolla Gruevski, Gjykata Themelore Shkup 1 i sqaroi hapat e ardhshëm në sistemin gjyqësor.
“Lidhur me shumë pyetje të gazetarëve lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit – Shkup KOKZH – 23/18 me të cilën pjesërisht pranohet ankesa e të pandehurit të parë dhe tërësisht refuzohet ankesa e të pandehurit të dytë në lëndën e Gjykatës Themelore Shkupi 1- Shkup me KOK 59/17, në opinion e njohur si “Tanku”, e informojmë opinionin se me pranimin e lëndës nga Gjykata e Apelit e njëjta në pajtim me AKIMS – sistemin elektronik për procesim të lëndëve do t’i ndahet gjykatësit për zbatimin e sanksioneve për veprim të mëtejmë”, thekson gjykata.
Gjoko Popovski në procedurën e parë u dënua me 6,5 vjet burg, ndërsa me vendimin e Gjykatës së Apelit dënimi i tij është zvogëluar në 4,5 vite burg. Të pandehurit të dytë Nikolla Gruevskit, megjithatë, i është konfirmuar dënimi prej dy vjetëve burg.
Sipas Gjykatës Themelore Shkupi 1, gjykatësi për zbatimin e sanksioneve, në pajtim me Dispozitat ligjore, përgatit akt udhëzues, që e dorëzon deri te personat e dënuar në lëndën dhe të njëjtët, pas pranimit, janë të obliguar vullnetarisht të paraqiten në mbajtjen e sanksionit të përcaktuar. (MIA)