Dialogu politik dhe arritja e konsensusit janë në kulmin e vlerave dhe standardeve të cilat e definojnë ambientin demokratik dhe kulturën politike në një shoqëri. Vendi i vërtetë, ose arena ku duhet të udhëhiqet dialogu politik dhe ku duhet të arrihet konsensusi është Kuvendi dhe ai nuk duhet të kufizohet vetëm në partitë politike të përfaqësuara në Kuvend por në të duhet të inkuadrohen organizatat civile, sektori joqeveritar, ekspertë dhe grupe të tjera shoqërore formale dhe joformale.
Këtë sot e theksoi kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi në konferencën “Nxitja e dialogut dhe konsensusit politik” që mbahet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë në të cilën marrin pjesë deputetë të Europarlamentit, deputetë të parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të organizatave për të rinj.
“Para pothuajse katër viteve, te ne ndodhën ngjarje të cilat sipas meje ishin shkaktuar nga raporti i papërshtatshëm i Qeverisë ndaj të rinjve, më saktë, popullatës studentore, a bëhej fjalë për nxjerrjen e ligjit i cili në mënyrën më të drejtpërdrejtë i prekte studentët. Ligji ishte propozuar pa pasur paraprakisht çfarëdo dialogu, konsultimi me studentët, as që ishte i mbështetur me argumente profesionale. Atëherë Plenumin studentor, i cili me aktivitetet dhe organizimin e vet, na tregoi ne politikanëve më të vjetër se si duhet të ushtrohet pushteti”, tha Xhaferi.
Theksoi studentët atëherë u paraqitën të bashkuar, pa dallim përkatësisë së tyre etnike dhe pa dallim nëse janë anëtarë ose simpatizues të kësaj apo asaj partie politike duke shtuar se studentët dhe të rinjtë në përgjithësi janë ajo forcë lëvizëse, ai motor i cili i lëviz punët kah më e mira, në vijë të njëjtë me botëkuptimet bashkëkohore dhe nevojat e kohës së re të globalizimit.
Xhaferi theksoi se si rezultat i hapjes për dialog dhe gatishmërisë që nëpërmjet kompromiseve të gjendet zgjidhje e pranueshme e ndërsjellë, respektivisht të arrihet konsensus për çështje të caktuara, kjo Qeveri arriti të ofrojë zgjidhje për tejkalimin e bllokimit shumëvjeçar të integrimit tonë në NATO dhe BE.
Sipas tij, referendumi është mundësi që nuk duhet humbur me çka do të sigurohet e tashme e sigurt dhe e ardhme më e mirë. Shprehu kënaqësi që sipas hulumtimeve të opinionit publik, pikërisht gjenerata e re, dhe përsëri pa dallim se cilës bashkësi etnike i takon ose cilit opsion politik i takon, e mbështet Marrëveshjen e Prespës dhe gjithsesi referendumin.
Ai apeloi për të gjithë pjesëmarrësit në fushatë të jenë të sinqertë dhe të drejtohen me fakte të vërteta dhe pohime para qytetarëve që, siç tha, të informohen në mënyrë të besueshme dhe të mos tentojnë për pikë politike ditore të shkaktojnë dëm të cilin çmim do ta paguajmë të gjithë.
Eurodeputeti, Eduard Kukan, i cili është bashkëkryesues i dialogut të Zhan Monesë theksoi se Kuvendi dhe lidershipi politik në vend kanë treguar aftësi për të hyrë në dialog dhe në këtë mënyrë të vazhdojnë në krijimin e implementimit të reformave.
Ai vlerëson se të rinjtë janë çelësi i së ardhmes së rajonit dhe se pjesëmarrja e të rinjve në referendumin e ardhshëm në Maqedoni mund të jetë vendimmarrës në fatin evropian të vendit dhe do ta caktojë progresin në integrimin evropian të vendit dhe të rajonit.
Ai theksoi se dialogu Zhan Mone për ndërtimin e kompromisit dhe konsensusit midis partive politike dhe deputetëve mund të shfrytëzohet si strategji e rëndësishme edhe për parlamentet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë është duke u mbajtur konferencë dyditore “Dialogu i nivelit të lartë për pjesëmarrjen politike të të rinjve dhe politikat e të rinjve me deputetët e Ballkanit Perëndimor”. (MIA)