Maqedonia duhet tërësisht t’i zbatojë reformat e domosdoshme për anëtarësim të plotfuqishëm në Bashkimin Evropian. Vendi shënon progres të madh pas shumë viteve të kaluara në korridoret e Unionit dhe tani është para një momenti të rëndësishëm për të ardhmen e saj, pas sërë ngjarjeve politike.
Këto janë një pjesë e rekomandimeve pas përfundimit të mbledhjes së 15-të të Komitetit të përzier parlamentar mes Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian, në të cilin fokusi është vendosur në raportet mes Maqedonisë dhe BE-së, reformat në gjyqësi, punën e PSP-së, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformat zgjedhore dhe reformat në sistemin për inteligjencë.
Nënkryetari i Parlamentit Evropian dhe shef i eurogrupit të SYRIZA-s, Dhimitris Papadimuilis, në konferencën për shtyp theksoi se të gjitha partitë në PE kanë parë progres dhe rrugë të hapur në atë që është orientim evropian për vendin.
“Vij nga Greqia dhe duhet të them në Parlamentin Evropian pas Marrëveshjes së Prespës dhe pas Marrëveshjes mes vendit tuaj dhe Bullgarisë, mbështetësit e orientimit evropian edhe të integrimit tuaj në NATO janë bërë akoma më pozitivë dhe mbështetës më të mëdhenj për shkak se pas shumë viteve kur nuk kishte progres dhe pas shumë viteve të shtetit tuaj në korridore, tani jemi të gatshëm të gjithë ne partitë politike në PE edhe nga të djathtët edhe nga të majtët, ta mbështesim orientimin tuaj evropian”, tha Papadimulis.
Theksoi se fjalimi i kryeministrit Zoran Zaev në PE, i cili ka pasuar dy ditë pas fjalimit të kryeministrit të Greqisë, Aleksis Cipras, është mbështetur nga të gjitha grupet politike.
“Kjo vetëm tregon dhe jep sinjal të mirë të mbështetjes të interesave tona dhe tregon se është arritur kompromis i mirë. Kjo është gjithashtu shenjë e bashkëpunimit të mirë, e pajtimit, e fitores së diplomacisë. Kjo është ajo që na nevojitet në Bashkimin Evropian, për shkak se përballemi me rrezikun e rritjes së nacionalizmit, kështu që të gjitha zgjidhjet e qeta diplomatike për problemet afatgjate përshëndeten” tha Papadimulis.
Bashkëkryesuesi i KPP, eurodeputeti nga Sllovenia, Alojz Peterele, tha se është e rëndësishme që Maqedonia ta përshpejtojë procesin e implementimit të tërësishëm të reformave që janë të nevojshme për anëtarësim në BE.
“Maqedonia afrohet në një moment të rëndësishëm pas shumë ngjarjeve politike. Pas shumë viteve të kaluara në korridore pa afrim, që ishte frustruese jo vetëm për vendin tuaj, tani ka ngjarje të reja që mund të na mundësojnë lëvizje më të shpejtë në drejtimin e vërtetë drejt BE-së dhe NATO-s”, tha Peterle.
Në lidhje me referendumin e ardhshëm, theksoi se si eurodeputetë do ta respektojnë vullnetin e qytetarëve në referendum, që është akti më i lartë demokratik.
Peterle në pyetjen se ç’farë përshtypje ka marrë në lidhje me atë nëse deputetët e opozitës do të votojnë për ndryshimet kushtetuese, tha se ka pasur mbledhje të gjatë me liderin e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski ku ai ka konfirmuar se si lider i partisë do ta respektojë vendimin e popullit.
“Ai nuk ishte i qartë me pozitën e tij personale, por në takim ishte thënë se rezultati do të respektohet. Ka anëtarë të partisë të cilët qartë janë “për” marrëveshjen. Por siç thashë ne këtu nuk jemi ndërmjetësues në tërë tregimin, u mbetet partive politike të votojnë, ta perceptojnë qëndrimin e tyre dhe para se gjithash ta respektojnë rezultatin”, tha Peterle.
Bashkëkryesuesi i KPP-së, deputeti Goran Milevski, në konferencën për shtyp pas përfundimit të mbledhjes, tha se është shënuar përparim i madh që Maqedonia e arriti në procesin integrues, si në BE, ashtu edhe në përgjithësi në procesin euroatlantik. (MIA)