Qeveria e Kosovës e hoqi tërësisht vendimin për doganat e rritura, kumtoi sot ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.
Siç informoi Bekteshi në konferencën për media, ky është edhe një konfirmim për marrëdhëniet e mira mes dy vendeve. Vendimi duhet të zbatohet prej nesër pasi paraprakisht autoritetet e Kosovës do të dërgojnë letër zyrtare te shërbimet e tyre doganore.
“Para disa minutash u informova se Kosova e tërhoqi vendimin në tërësi, ndërsa paraprakisht në seancë qeveritare të Qeverisë së Kosovës, janë marrë parasysh argumentet që u shprehën nga ana e Maqedonisë në takimin e së premtes në Prishtinë”, theksoi Bekteshi.
Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, Bekteshi tha se për dëmet e shkaktuara nga vendimi i Kosovës vlerësime do të bëjë Ministria e Bujqësisë, pas çka Qeveria do të ndërmarrë masa adekuate që t’u ndihmojë tregtarëve, prodhuesve që pësuan humbje.
Kosova e vendosi vendimin më 18 korrik të këtij viti dhe me të doganat për gjithsej 21 prodhime bujqësore u rritën për 30 për qind. Pas disa ditësh vendimi u tërhoq pjesërisht, gjegjësisht për disa prodhime, por për shtatë ende ishte në fuqi, ndërsa në të bënin pjesë pjesa më e madhe e eksportit të Maqedonisë për në Kosovë. (MIA)